Tiranë – Ambasadori i Mbretërisë së Danimarkës në Shqipëri, vendit që më 1 janar ka marrë kryesimin e BE-së, Karsten Jensen, ka dhënë mendimin e tij mbi çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Në një intervistë për revistën “Java”, diplomati danez krahas analizës së situatës politike në vend, jep dhe këshillat e tij për zgjedhjen e Presidentit të Republikës.
Sipas tij, sjellja e klasës politike ka krijuar një situatë të mjegullt në arritjen e objektivave të vendosura nga BE dhe tashmë zgjedhja e Presidentit është një provë që duhet kaluar.
“Duke pasur parasysh rolin e Presidencës në ndërtimin konstitucional të Shqipërisë dhe në sigurimin e pavarësisë së institucioneve të tjera, përfshirë gjyqësorin dhe SHISH-in, zgjedhjet presidenciale do të jenë një test lakmusi i demokracisë shqiptare dhe qëndrimit të Shqipërisë si e tillë. Prandaj, besoj fort se ka rëndësi shumë të madhe që Shqipëria të zgjedhë një president të pavarur, të fortë, të panjollosur nga e kaluara apo e tashmja, i pranuar nga të gjithë”,- sugjeron përfaqësuesi i Danimarkës në vendin tonë.
Diplomati Jensen duke iu drejtuar popullit shqiptar, u sugjeron këtyre të fundit që të kërkojnë nga politika me domosdoshmëri marrjen e statutit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.
Saturday, 07 January 2012 10:00