Tiranë – Korrupsioni i mban larg nga Shqipëria shumë investitorë të huaj të rëndësishëm. Karsten Ankjaer Jensen, ambasador i Danimarkës, thotë se Shqipëria është treg ku ka potenciale të mëdha për të bërë biznes. Por, sipas tij, perceptimi i lartë i korrupsionit dhe keqfunksionimi i sistemit të drejtësisë i bën shumë koorporata të rëndësishme të druhen për të hyrë në Shqipëri.
“Njëri nga shkaqet, siç mund ta dini, është korrupsioni. Nëse duhet të vë në dukje diçka tjetër, do të shtoja sistemin e drejtësisë. Që një sipërmarrës të investojë paratë e tij, ai duhet të jetë i sigurt se, për problemet që mund të ketë, do të gjejë një trajtim ligjor korrekt dhe të drejtë. Investitorët duhet të jenë të sigurt se mund të gjejnë mbështetje te sistemi i drejtësisë. Shumë biznesmenë kanë dyshime rreth kësaj. Së bashku me korrupsionin, kjo është një nga arsyet pse nuk shihni shumë nga koorporatat e mëdha globale të jenë të pranishme në Shqipëri. Shumë prej tyre kanë një politikë të tolerancës zero ndaj korrupsionit. Tolerancë zero do të thotë tolerancë 0, nuk ka përjashtime,” thotë Jensen.
Sipas Ambasadorit, interesi nga investitorët danezë nuk mungon dhe konjuktura e tregjeve ndërkombëtare mund ta favorizojë një orientim të investimeve drejt Shqipërisë. Këmbimet me Danimarkën zënë një pjesë të vogël në bilancin tregtar të Shqipërisë. Për vitin 2010, volumi i përgjithshëm i tregtisë mes dy vendeve ishte 877 milionë lekë, më pak se 0.2% e totalit të tregtisë së Shqipërisë me jashtë. Struktura e tregtisë tonë me Danimarkën dominohet nga importet, që zënë rreth 95% të totalit. (LajmeShqip.com)
Monday, 19 September 2011 19:47