Lajme Shqip Monday, 23 January 2012 21:32

Tiranë- Ambasadori i SHBA në Tiranë, Aleksander Arvizu, shprehu sot rëndësinë që kanë hetimet gjithëpërfshirëse të ngjarjeve të 21 janarit 2011.

Në një konferencë shtypi në mjediset e Prokurorisë së Përgjithshme, Ambasadori Arvizu tha se “dua të  nënvizoj se ka qënë qëllimi ynë që ky hetim të jetë i pavarur dhe i lirë prej çdo ndikimi politik”.

“Në mënyrë që hetimi të jetë i besueshem, duhet që ai të jetë gjithëpërfshires dhe veçanërisht në hetimin e vrasjes së katër protestuesve, veprimet e protestuesve që kanë ndërmarrë dhunë, sikundër edhe veprimet dhe qëllimet e organizuesve për aq sa dihet, duke vazhduar me zhvillimin e hetimit nëse ka ndonjë provë, e cila vërteton  pengimin e drejtesisë”, tha Ambasadori Arvizu.

Diplomati amerikan shprehu mbështetjen për Prokurorinë e Përgjithshshme në hetimin e kësaj çështjeje, duke deklaruar se “do të vazhdojmë ta mbështesim zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm derisa vazhdohet me këtë hetim”.