Lajme Shqip Friday, 01 June 2012 12:20

Prishtinë – Qeveria e Malit të Zi ka vendosur të hapë ambasadën në Republikën e Kosovës, ndërsa Prishtina tashmë ka filluar procedurat për hapjen e ambasadës në Podgoricë.
“Me hapjen e ambasadës, do të mundësohet përparimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës”, është thënë në mbledhjen e Qeverisë malazeze, cituar mbrëmë nga media.

MPJ kosovare përshëndet vendimin e Malit të Zi për hapjen e ambasadës në Prishtinë.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, i ka dërguar një telegram falënderimi ministrit të Punëve të Jashtme të Malit të Zi, Milan Rocen. Në telegram, ministri Hoxhaj ka falënderuar homologun malazez për vendimin e Qeverisë së Malit të Zi për të hapur ambasadën në Prishtinë.

“Ne e mirëpresim hapjen e ambasadës së Malit të Zi në Prishtinë. Republika e Kosovës tashmë ka filluar procedurat për hapjen e ambasadës në Podgoricë. Hapja e këtyre ambasadave hap një kapitull të ri në marrëdhëniet tona bilaterale. Këto marrëdhënie të shkëlqyera janë garantues i përhershëm i stabilitetit, sigurisë dhe paqes në Ballkan, si dhe i integrimeve euroatlantike të dy shteteve”, thuhet në këtë telegram.

Ministri Hoxhaj vlerëson se hapja e misioneve dhe shkëmbimi i ambasadorëve ndërmjet Kosovës me pothuajse të gjitha vendet fqinje, konfirmon marrëdhëniet shumë të mira me vendet fqinje dhe rolin e fuqishëm stabilizues në rajon të Republikës së Kosovës.

Në vendimin e Qeverisë së Malit të Zi thuhet se hapja e ambasadës në Prishtinë i kontribuon vazhdimit të vendosjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore, si një nga kriteret më të rëndësishme për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës më 9 tetor të vitit 2008, ndërsa marrëdhëniet diplomatike me Prishtinën i ka vendosur më 15 janar të 2010. (LajmeShqip.com)