Lajme Shqip Friday, 30 September 2011 10:23

Tiranë – Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u shpreh në një intervistë televizive se ambasada amerikane ka përgatitur një sërë festimesh për të festuar 20-vjetorin e rihapjes së Ambasadës amerikane në Shqipëri.

Sipas Arvizut, festimet për këtë ngjarje do të zgjasin një javë. “Do të nisim të dielën më 2 tetor me një panair të hapur, panair në rrugë. Do të jetë në zonën pedonale ngjitur me Galerinë e Arteve. Në partneritet me Bashkinë, shumë njerëz kanë punuar për këtë, do të kemi shumë stenda, do të jetë si një festë, një panair.  Do të kemi gjera për fëmijë, një skenë, kemi takuar disa prej miqve tanë jashtë vendit që të mundësojmë zbavitje muzikore, do të jetë Banda e Marinës së Shteteve të Bashkuara, gjithashtu stenda informative mbi jetën amerikane, pjesë të ndryshme të Ambasadës dhe me çfarë merren ato, një bar karaoke, ushqime dhe pije. Mendoj se do të jetë shumë argëtuese. Më duket se do të zhvillohet nga ora 11 e mëngjesit deri më 5 pasdite. Do të kemi një pritje të vogël për VIP-at të martën, i bie 4 tetor. Të ftuarit do të hyjnë vetëm me ftesë, por shpresojmë të transmetohet në televizor. Të thuash të drejtën ajo do të jetë për të përkujtuar rihapjen e vërtetë të ambasadës pas 20 vitesh. Do të kemi një simpozium akademik, do të ftojmë disa gazetarë dhe të tjerë, akademikë, që janë filmuar në vitet 1991-1992, gjatë atyrë kohërave thuajse shumë revolucionare, në mënyrë që të ofrojnë retrospektivën e tyre dhe pikëpampjet e tyre mbi zhvillimet sot. Më pas do të ketë një aktivitet të vogël, vetëm brenda ambasadës, ku janë ftuar disa prej ish-punonjësve të Ambasadës, disa që kanë dalë në pension’, tha Arvizu.

Ai shtoi se, “në muajin mars patëm në fakt përvjetorin e vërtetë të rilidhjes së marrëdhënieve diplomatike dhe Ministria e Punëve të Jashtme kishte organizuar një ceremoni shumë të këndshme, por ju kujtohet se muaji mars ishte tejet i ngarkuar për ne dhe kishim shumë gjëra në vazhdim e sipër, dhe e dija se Ambasada ishte rihapur në të vërtetë në muajin tetor. Dhe u thashë të gjithëve në staf, shënoni në kalendar që në muajin tetor do të kemi një festim një javor’, tha Arvizu.

Arvizu theksoi se mund te jenë edhe disa diplomatë që kanë shërbyer më parë në Shqipëri. “Mendoj që disa prej tyre do të vijnë, por nuk e di me saktësi se kush. Disa prej tyre janë të zënë, duke bërë shumë gjëra, por shpresoj që të shoh sa më shumë që të kenë mundësi të vijnë”.