Tiranë – Bashkimi mes Alpha Bank dhe EFG Eurobank do të sjellë përfitime edhe për publikun shqiptar. Andreas Galatoulas, drejtor i përgjithshëm i Alpha Bank – Shqipëri, shpjegon përfitimet nga bashkimi i dy grupeve të mëdha bankare greke. Sipas tij, nga ky bashkim do të dalë një grup më i fortë për nga parametrat financiarë dhe për nga eksperienca.
“Ky bashkim do të sjellë përfitime të rëndësishme që përfshijnë edhe aktivitetin e këtyre dy bankave në tregun shqiptar. Grupi i ri do të jetë më i fortë dhe kjo është shumë e rëndësishme në kushtet aktuale të tregjeve. Një pjesë e likuiditetit të madh që grupi i ri disponon do të jetë edhe një mbështetje e fortë edhe për Alpha Bank Albania. Përveçse më i fortë, grupi i ri do të shkrijë eksperincën e dy grupeve të mëdha bankare. Nga të gjitha këto vlera do të përfitojë patjetër edhe publiku shqiptar. Kontributi i këtij grupi të madh të sapokrijuar do të nxisë rritjen e cilësisë së shërbimeve dhe të gamës së produkteve edhe në tregun bankar shqiptar,”shprehet ai.
Sipas zotit Galatoulas, në vijim të këtij bashkimi, edhe Alpha Bank-Shqipëri do të synojë të rrisë praninë e saj në treg.
Alpha Bank – Shqipëri është e vetmja që nuk i publikon rezultatet e veta që nga tremujorit i tretë i vitit të kaluar. Duke ju referuar të dhënave për periudhën në fjalë, kjo bankë kishte një total asetesh prej 67 miliardë lekësh, një portofol kredie prej 44 miliardë lekësh dhe një total depozitash prej 59 miliardë lekësh.
Tuesday, 20 September 2011 16:59