Lajme Shqip Tuesday, 12 November 2013 23:43

Prishtinë- Ish-deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila para pak kohësh kaloi në Lidhjen Demokratike të Kosovës, gjatë një debati “Rubikon” të KTV-së, ku për temë ishin komentet në portalet informative në Kosovës, ka bërë një akuzë në drejtim të ish-subjektit të saj politik.

Lama, teksa po flitej për gjuhën e urrejtjes dhe atë denigruese që paraqitet në komentet e artikujve të publikuar nëpër portalet tona informative, ka thënë se ka raste kur parti politike paguajnë njerëz me paga mujore për të qenë aktivë në komentim të artikujve.

“Subjekti im i kaluar politik ka pasur të angazhuar njerëz me pagë për të komentuar në raste të ndryshme”, ka thënë Lama gjatë debatit.

 

I menjëhershëm ka qenë reagimi i aktivistit më aktiv të Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili. Ai, përmes rrjetit social Facebook, ka komentuar në lidhje me deklaratën e Lamës, duke thënë se Vetëvendosje nuk ka nevojë që të paguajë njerëz për ta sharë atë, pasi që ka mjaftë të tillë që këtë e bëjnë edhe pa pagesë, shkruan Zëri.

 

“Alma Lama, se pak punë ma të mençme po ka LVV, veç me u marrë me ty nëpër komente të portaleve? Ani, me pague njerëz për me të shajtë ty? Mos të rritet mendja, bijo, se ka boll njerëz që s’dojnë me ti pa sytë edhe shprehen vetë, pa pare. E ke humbë elektoratin, se ke rrejtë, ke shpifë edhe fije parimi nuk të ka mbetë. Sa shpejt u mishnove me kolegët e partisë së re edhe nise me i fajësue të tjerët për dështimet tua. Ec, bjer flej, a naksen”, ka shkruar Ismaili në profilin e tij në Facebook.