Lajme Shqip Tuesday, 08 April 2014 14:49

Kryetari i Komunës së Lazaratit, Dasho Aliko, ka reaguar në lidhje me njoftimin e ambasadës amerikane, e cila i bënte thirrje qytetarëve të saj që ndodhen në Shqipëri, që të mos shkojnë në Lazarat, pasi rrezikojnë jetën.

Aliko shprehet se në Lazarat nuk ka rrezikshmëri për jetën, pasi media ka hyrë në fshat dhe nuk është rrezikuar. Problemi, sipas Alikos, është se në këtë fshat ka një fenomen të jashtëligjshëm që nuk mund të luftohet vetëm nga ai dhe policia, por përmes politikave sociale. “Në Lazarat nuk ka rrezikshmëri për jetën. Këtu ka një fenomen të jashtëligjshëm që s’mund ta luftoj vetëm unë apo policia. Mediat kanë hyrë në Lazarat dhe nuk ka pasur rrezikshmëri. Lufta ndaj kanabisit mund të arrihet me anë të politikave sociale”, u shpreh Aliko.

Ambasada e SHBA-ve ndalon qytetarët të shkojnë në Lazarat

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë i ka ndaluar të gjithë punonjësit e qeverisë amerikane që jetojnë në Shqipëri, për të shkuar në fshatin e Lazaratit në Gjirokastër.  Ambasada amerikan ka informuar qytetarët e saj se është i ndaluar udhëtimi në “fshatin e kanabisit”, për shkak të mospranisë të policisë atje dhe faktit që trafikantët e drogës kontrollojnë rrugët dhe nuk i lejojnë njerëzit të hynë në këtë zonë.

Gjithashtu, ambasada ka përmendur edhe përplasjet me armë të policisë me trafikantët e drogës në një nga rajonet më të mëdha të prodhimit të drogës, siç theksohet në mesazhin e sigurisë të ambasadës drejtuar qytetarëve të saj dhe punonjësve të qeverisë amerikane. “Lazarati njihet si një nga rajonet më të mëdha të prodhimit të marijuanes në Europë.

Në 2004, një polic qëlloi në drejtim të një të dyshuari si trafikant droge, çka çoi në shkëmbim zjarri me banorët, të cilët shkatërruan rajonin e policisë së Lazaratit. U desh ndërhyrja e forcave speciale ushtarake për të vendosur rendin dhe armëpushimin mes qeverisë dhe Lazaratit. Në 2012, policia u mundua të shkatërrojë plantacionet e marijuanës në zonë, por u detyruan të largohen pas përballjes me disa banda të armatosura”, shkruhet në mesazhin e Ambasadës Amerikane në Tiranë, në faqen online zyrtare të saj.

 

Njoftimi vijon duke u përforcuar me faktin që nga tentativa e vitit 2012 e deri më tani, policia nuk i është afruar më Lazaratit. “Që prej asaj dite, forcat e rendit shqiptare nuk i janë afruar Lazaratit dhe trafikuesit e drogës kontrollojnë rrugët duke mos lejuar të huajt të hyjnë në fshat”, – thuhet në mesazhin e sigurisë për qytetarët amerikanë.