Tiranë – Çështjet e së Drejtës Kushtetuese u diskutuan të shtunën në një simpozium, me një panel me ekspertë dhe profesionistë të së drejtës kushtetuese, organizuar në Tiranë nga qendra LIST (Ekipi për Edukim dhe Informim Ligjor), me mbështetjen e OSFA (Fondacionit të Shoqërisë së
Hapur për Shqipërinë), me qëllim nxitjen dhe mbështetjen e debateve publike për çështjet që prekin fushat kryesore të sistemit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Duke u ndalur tek diskutimi i hapur së fundi në vendin tonë mbi ndryshimin ose jo të Kushtetutës, deputeti i Partisë Demokratike dhe konstitucionalisti Enkelejd Alibeaj deklaroi se ligji aktual themeltar është i standardeve më të mira europiane dhe i siguron kreut të shtetit pavarësinë e duhur për të ushtruar detyrën.
Sipas Alibeajt, opozita mund të përdorë si armë të sajën presionin pozitiv që mund të ushtrojë gjatë raundeve parlamentare të votimit të emrit të kreut të ri të shtetit.
“Kushtetuta e vitit 2008 i jep Presidentit të Republikës të gjitha hapësirat për të ushtruar funksionin e tij mbi palët, pavarësisht se nga cila maxhorancë zgjidhet, e djathtë apo e majtë”, duke kundërshtuar propozimin e opozitës për ndryshime Kushtetuese.
Në këtë tryezë u arrit në përfundimin se ndryshimet kushtetuese të tre viteve më parë nuk kanë prekur parimet themelore Kushtetuese.
Saturday, 08 October 2011 14:30