Tetovë – Nga fëmijëria kujtoj masakrën në oborrin e shtëpisë sime të bërë nga dora serbe. Mbi 70 anëtarë të familjes sime dhe patriotë të tjerë nga Zajazi janë masakruar në oborrin tim, tha lideri i BDI-së Ali Ahmeti në një intervistë për gazetën elektronike Yllpress.
“Ato kujtime të hidhura i kam patur gjithmonë në mendje edhe gjatë Lëvizjes edhe sot. Ne shqiptarët duhet të punojmë shumë së bashku, pasi të bashkuar mund të shërojmë më lehtë plagët dhe të çojmë vendin përpara”, thotë mes tjerash, Ali Ahmeti.
Ai në fillim të intervistës u përqëndrua në atë se si fillon dita për të, më kë takohet në mëngjes, aktivitetet e ndryshme ditore dhe informimin e ndërsjellë me bashkëpunëtorët e tij për çështje të ndryshme me interes.
“Një ditë për mua fillon me një gotë qumësht me mjaltë dhe me një bisedë me bashkëshorten time, pastaj çdo ditë në mëngjes takojë nënën time të dashur dhe e pyes për shëndetin, për natën si e ka kaluar, për ndonjë gjë çfarë i preokupon si gjithë nënat dhe vazhdoj me aktivitet e ditës, duke marrë në telefon bashkëpunëtorët e mi nga të cilët informohem për gjërat që janë me interes”, tha Ahmeti.
Dita, thotë lideri i BDI-së, vazhdon me aktivitete të përhershme, takime me familjet e dëshmorëve, takime me qytetarë, takime me përfaqësues diplomatik, me anëtarë të kryesisë qendrore të partisë, etj.
“Dita varet shumë edhe nga agjenda. Shpesh jemi në takime zyrtare, në vizita të qyteteve në Maqedoni, vizita në aktivitete kulturore, etj. Dita ime mbaron atëherë kur mbarojnë edhe aktivitetet e agjendës”, thotë kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim.
Ai në intervistë thotë se është shumë i lidhur me familjen e tij dhe ka qenë gjithmonë i lidhur, edhe kur s’e ka parë nënën e tij 18 vite.
“Çdo orë ajo dhe anëtarët tjerë të familjes kanë qenë në zemrën dhe mendjen time. Fëmijëve të mi ju kam mësuar të jenë tolerantë, të mos urrejnë dhe të punojnë me nderë që të jenë faqebardhë. Familja është shtylla e shoqërisë, bazë për të zhvilluar një shoqëri”, potencon Ali Ahmeti.
Për liderin e BDI-së, thotë ai, hobi është ecja në lartësi. Ai çdo herë kur gjen pak kohë të lirë, ec nëpër male, bjeshkë, në lartësi me shokë dhe miq. Të lumtur e bëjnë gjërat e mira, kur së bashku punohet për avancimin e çështjes shqiptare, ndërsa të pikëlluar kur ndodh e kundërta, shpifjet, tentimi për baltosje të historisë, figurave shqiptare, etj.
Tuesday, 31 May 2011 07:42