Shkup – Mospjesëmarrja e liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, në manifestimin e pavarësisë së Maqedonisë, 8 Shtatorin, ka ngjallur reagime nga ana e analistëve politikë shqiptarë dhe maqedonas.
Siç është e njohur, lideri integrist nuk ishte i pranishëm në manifestim, por aty ishin kishin ardhur disa nga ministrat e BDI-së, mes tyre edhe zv/kryeministri Musa Xhaferi. Kryeministri Gruevski nuk ishte i pranishëm në konferencën e mbajtur në Ohër më 12 dhe 13 gusht, por ai për të parën herë nderoi shqiptarët në konferencën e mbajtur në Shkup, disa ditë më pas, ku prezent ishte edhe komisari për zgjerim i BE-së Shtefan Fyle.
Sipas analistëve mungesa e Ahmetit, lë për t’u nënkuptuar si “revanshizëm” ndaj kryeministrit Nikolla Gruevski, duke mos lënë pa u kritikuar manifestimi i cili kryekëput u shndërrua në festë populiste, pa asnjë flamur shqiptar dhe këngë shqipe.
Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, duke u përgjigjur në atë se pse Ahmeti nuk mori pjesë në manifestimin e ditës së pavarësisë me konstatim se BDI, ”mbetet në qëndrimin e saj se e respekton ditën e pavarësisë, por nuk e feston të njëjtën”.
Ai ka thënë se lideri Ahmeti ishte i pranishëm në seancën parlamentare kushtuar 20-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë.
Ndërkohë, ish-diplomati Nano Ruzhin, vlerëson se mosardhja e Ahmetit në manifestimin qendror për ditën e pavarësisë shikohet si revansh ndaj Gruevskit i cili nuk e pa të arsyeshme të marrë pjesë në shënimin e jubileut të Marrëveshjes së Ohrit. “Pushteti nuk tregoi respekt për Marrëveshjen e Ohrit e cila tanimë është pjesë përbërëse e historisë tonë dhjetë vjeçare. Festa për 2- vjetorin e pavarësisë ishte një-etnike. Kjo është e palejueshme në një shoqëri multietnike. Nuk pamë asnjë flamur shqiptar, asnjë këngë shqipe. Ngjarja ishte kryekëput nacionaliste, populiste pa elemente të etniteteve tjera”, deklaron ish-diplomati Ruzhin.
Sipas tij, reagimi i liderit të BDI-së Ahmeti është një lloj revanshi se edhe “shqiptarët ekzistojnë në këtë shtet”.
Sipas analistit politik Albert Musliu mospjesëmarrja e Ahmetit në manifestimin qendror në shënimin e ditës së pavarësisë mund të ketë një logjikë të ‘hakmarrjes’ si rezultat i asaj se kryeministri Gruevski nuk mori pjesë në shënimin e 10-vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit në Ohër.
“Mungesa e Ahmetit në shënimin e 20-vjetorit të pavarësisë së Maqedonisë mund të definohet si ‘hakmarrje’. Gruevski nuk mori pjesë në shënimin e dhjetë vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit më 12 dhe 13 në Ohër. Përderisa ai gjen kohë të marrë pjesë në disa ngjarje shumë më të vogla siç është hapja e ndonjë salle sportive ai duhej të merrte pjesë në një ngjarje më të madhe dhe më të rëndësishme”, thekson analisti Albert Musliu.
Në jubileun e 10-të vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit kryeministri Gruevski nuk mori pjesë, ndërsa në te i pranishëm ishte presidenti i shtetit, Gjorge Ivanov. Shënimin e këtij përvjetori e bojkotuan edhe liderët opozitarë, Branko Cërvenkovski nga LSDM-ja dhe Menduh Thaçi nga PDSH-ja edhe pse këto parti bashkë me VMRO-DPMNE-në ishin nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit.
Monday, 12 September 2011 20:15