SHBA – Zyrtarët amerikanë thonë se operacionet e forcave algjeriane kundër ekstremistëve që po mbajnë pengje pranë kufirit me Libinë vazhdojnë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Skot Stërn, na informon nga Shtëpia e Bardhë.
Sekretarja e Shtetit, Hillati Klinton, tha se gjendja në Algjeri është “tejet e vështirë dhe e rrezikshme”. Ajo foli dje për të tretën ditë radhazi me Kryeministrin e Algjerisë, Abdelmalek Sellal.
“Ai e bëri të qartë se operacionet e tyre ende vazhdojnë, se gjendja është e paqëndrueshme dhe se pengjet janë në rrezik në disa instanca. Por në interes të sigurisë së tyre, unë nuk do të jap asnjë hollësi të mëtejshme për momentin”.
Forcat algjeriane sulmuan dje impiantin e gazit natyror, ku ekstremistët mbajnë peng disa dhjetra të huaj dhe qindra algjerianë. Nuk dihet ende se kush ka nën kontroll dhe çfarë pjese të objektit dhe sa njerëz janë vrarë në luftime.
Sekretarja Klinton tha se i bëri thirrje kryeministrit algjerian “që të tregohet sa më shumë kujdes për mbrojtjen e pengjeve”. Por tashmë është bërë e qartë se ka patur viktima.
“Shtetet e Bashkuara u shprehin ngushëllimet e tyre të gjitha familjeve, të cilat kanë humbur të dashurit e tyre në këtë sulm brutal dhe ne jemi thellësisht të shqetësuar për ata që janë ende në rrezik”.
Agjencia shtetërore algjeriane e lajmeve thotë se rreth 100 pengje të huaja janë liruar, por për 30 të tjerë ende nuk dihet gjë. Ndër ata që ende mbahen peng në impiantin e gazit janë amerikanë, britanikë, japonezë, norvegjezë, rumunë, filipinas, francezë, malianë dhe austriakë.
E pyetur nëse administrata Obama e kritikon vendimin e Algjerisë për të sulmuar pengmarrësit, sekretarja Klin ton tha se “askush nuk e di më mirë se algjerianët se sa mizorë janë këto grupe”.
“Le të mos harrojmë, kemi të bëjmë me një akt terrorist. Autorët e rrëmbimeve janë terroristë. Ata janë personat që sulmuan objektin, kanë marrë peng algjerianë dhe të tjerë nga e gjithë bota, të cilët po bënin punën e tyre të përditshme. Dhe është me rëndësi tejet esenciale që ndërsa ne punojmë për të zgjidhur këtë situatë të rëndë, me vazhdojë të zgjerojmë dhe thellojmë bashkëpunimin kundër terrorizmit”.
Ekstremistët algjerianë thonë se sulmuan impiantin e gazit natyror në hakmarrje për ndërhyrjen ushtarake franceze kundër kryengritësve në Malin fqinje. Ata kanë kërcënuar se do të ndërmarrin sulme të tjera kundër objektivave perëndimore. Pengmarrësit në Algjeri janë të lidhur me kryengritësit në Mali si pjesë e grupit terrorist al-Kaeda në Maghreb-in islamik.(LajmeShqip.com)
Saturday, 19 January 2013 14:32