Tiranë -De facto presidenti i Shqipërisë do të jetë një ministër i qeverisë Berisha. Kështu është shprehur sot lideri i PS, Edi Rama, gjatë emisionit “5 pyetje nga Babaramo” në TV News24. “Unë s’kam asgjë personale me ministrin që u bë president por kam një arsye të fortë parimore, natyrisht dhe politike, për të këmbëngulur që presidenti nuk mund të kthehet ministër i Qeverisë.
‘Presidenti i ri u zgjodh ne rrugë Kushtetuese, nuk ndodhi atentat apo grusht shtetit, por cka ndodhi është se u godit egër hapi europian i Shqipërisë. Nuk kemi problem tonin që të na e zgjidhë presidenti. Problemi ynë është hapi europian dhe prapambetja në rrugën e integrimit, dhe që Shqipëria rrezikon ta humbë statusin për të 3 herë si asnjë vend tjertër. Sepse mesazhi ishte i qartë dhe po ashtu edhe dëshira e familjes europiane për të na dhënë një dorë, konsensus konsensus , konsensus. Konsensusi dhe jo emri ishte ajo cka duhet të prodhonte Republika e Shqipërisë. Pala tjetër në vend të konsensusit zgjodhi emrin, zgjodhi të cojë në presidencë një noter partiak’,- deklaroi Rama.
Duke i’u referuar komenteve që Rama ka bërë në adresë të ministrit Nishani kohë më parë, kryesocialisti sqaroi se nuk ka asgjë kundër tij, por Presidenti nuk mund të jetë ministër qeverie. Ndërkohë, sa i takon përzgjedhjes se kreut aktual të shtetit Bamir Topi, Rama tha se ai u përzgjodh përmes një procesi të turpshëm, po ashtu si dhe Nishani u zgjodh sipas Kushtetutës.
‘Unë nuk kam asgjë personale me ministrin që u bë president, por kam një arsye të fortë parimore dhe politike, për të këmbëngulur që presidenti nuk mund të kthehet ministër i qeverisë. Ai është defacto një ministër i qeverisë’,- theksoi Rama.
Sipas Ramës për sa kohë që u shmang zgjedhja e Jozefina Topallit dhe Ridvan Bodes si President duhej shkuar deri në fund me konsensus nga ana e Sali Berishës.
Kandidaturat e mazhorancës
Rama, i cilësoi 2 kandidaturat e mazhorancës (Xhezair Zaganjori dhe Artan Hoxha), të njëanshme dhe të papranueshme për opozitën, e cila synonte që në krye të herës konsensusin.
‘Kandidimi i parë ishte i njëanshëm dhe nga ana tjetër nuk përmbushte ekzigjencat tona. Kandidimi i dytë ishte tërësisht i njëanshëm dhe kandidati ishte i papranueshëm. Sepse në këndvështrimin tonë ishte zëdhënësi më publik i qeverisë’,- tha Rama.
Tryeza me Berishën
Kreu i PS, bëri publike se në tryezën me kryeministrin Berisha për zgjedhjen e presidentit, opozita u ul për të dhënë konsensus, ndërkohë që pala tjetër nxorri justifikime.
‘Me kryeministrin kam diskutuar si kryeministri i vitit 2013 me kryeministrin aktual për të kuptuar se humbja e statusit kandidat, nuk është humbja e një certifikate, por e një mundësie që nuk e kemi më. I kam sqaruar prespektivën aspak të ndritur që ndodhet ekonomiA shqiptare. Përballja me pasojat e akumulimit dhe një politike amatoreske ekonomike dhe financiare. Po ta kishim vizion e Europës do kishim kuptuar se konsensusi është më i rëndësishëm se emri’- theksoi Rama.
Ndërkohë sa i takon propozimit të emrit të Fatos Nanos në tryezën Rama-Berisha, kreu i opozitës sqaroi: ‘E vërteta e propozimit është shumë e thjeshtë, propozimi ishte i formës për të larë gojën nga Shpëtim Idrizi, sepse ishte propozim i bërë në kontekstin e bisedës, ku po flitej për paftësinë e zgjedhjes së një kandidature. Edhe Idrizi ishte në mbështetje të Artan Hoxhës. Kandiatura e Fatos Nanos ishte e përjashtuar dhe konsesusi ishte i mundshëm jashtë kandidaturave politike’-theksoi Rama.
Rama nënvizoi se PS ishte e gatshme të mbështeste kandidaturën e e propozuar nga Ismail Kadare, por sipas tij PS-se nuk i’u dha mundësia të dilte me emra duke akuzuar kryeministrin Berisha se pas tërheqjes së kandidaturës së tij politike, (Topalli dhe Bode) bëri hapin e gabuar duke refuzuar konsensusin.
Roli i Metës
Rama akuzoi liderin e LSI, Ilir Meta se braktisi pozicionin fillestar për zgjedhjen e presidentit. ‘Luajti në fillim rol pozitiv në fillim dhe negativ në fund. Se braktisi pozicionin fillestar dhe u bë pjesë e asaj që tha se nuk do bënte kurrë, zgjodhi një noter partie. Pozicioni i tij ka qënë i qartë se nuk pranojmë një kandidat të PD’,- u shpreh Rama.
Kandidimi i Nanos
I pyetur se përse Partia Socialiste nuk kandidoi Fatos Nanon për postin e presidentit, Rama tha se “Fatos Nano nuk u kandidua sepse kandidatura politike ishte përjashtuar nga tryeza e negociatave”.
“Konsensusi ishte plotësisht i mundshëm vetëm jashtë kandidaturave politike. Pati refuzim të qartë nga ana e Kryeministrit për një kandidaturë politike dhe për emrin konkret të Fatos Nano. Ne i qëndruam deri në fund interesit kombëtar dhe vizionit dhe argumentave tona. Shqipërisë i duhej konsensus dhe nuk i duhej një president që të ishte noter partiak i saj”, tha Rama.
‘Fatos Nano nuk mund të ishte kandidat i njëanshëm i PS, nëse Fatos Nano mund të ishte një nga emrat ku mund të krijohej konsensus. Fatos Nano nuk është pjesë e PS, ai ka ikur, e kam thënë edhe më përpara. Në rast se nuk kishim paragjykimi kjo lidhej me faktin se ai ka bërë një shërbim të qartë në gjithë këto vite. Si i tillë ai pretendonte të ishte kandidat mbi palët dhe mes palëve. Me djegien e kandidaturës politike të Topallit, u dogj fusha e politikës dhe nuk kishte shanse të vinte dikush me bagazh politik. PS nuk mund të kandidonte Fatos Nanon’,- shtoi Rama.
Akuzat e Fatos Nanos
Rama i cilësoi akuzat që Fatos Nano ka bërë në adresë të tij, të neveritshme dhe mllefe primitive, të cilat nuk i shkojnë për shtat një individi që aspironte të bëhej president. Sipas Ramës, PS nuk ka nevojë për ish-liderin e saj, pasi ajo është dhe do jetë fituese edhe pa të në zgjedhjet e 2013.
‘Unë nuk dua të humbas kohë me komente të këtyre, që nuk di si ti quaj, që janë të neveritashme, këto shfrime të një mllefi primitiv që nuk kanë lidhje as me mua, as me PS, por kanë lidhje me paaftësi për të menaxhuar emocione negative që më vjen keq. Ka vetëm një gjë për një unifikim, që është unifikimi i popullit shqiptar nën liderin e PS, se unifikimi i të majtës është me shumë cen dhe boshllëqe në pikëpamje të trajtimit të realitet’,- theksoi Rama.
‘Sa më rezulton PS ka fituar zgjedhjet në 2007 dhe 2009, dhe është vjedhur. Kjo është një dekadencë morale dhe intelektuale dhe një dekadencë qytetare. Në krye të PS kam bërë gabime zemre dhe jo për shkak të pavetëdijes apo dashakeqe. Të gjithë janë të gabueshëm’,- u shpreh Rama.
Koalicioni me LSI
Rama u shpreh se LSI është pjesë e qeverisë, ndaj për këtë arsye PS në zgjedhjet e 2013 do shkojë me aleatët e saj. Por, nuk mohoi faktin se nëse LSI e braktis qeverinë, PS do jetë e hapur për debat.
‘LSI është pjesë e koalicionit qeverisë. Dhe ne jemi përballë dhe do i fitojmë zgjedhje me koalicioin tonë. Nëse do e braktisë qeverinë atëherë mund të jetë forcë opozitare dhe mund të hapin dialogun. Për të fituar zgjedhjet’,- deklaroi Rama. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 13 June 2012 07:30