Tiranë – Komisioni parlamentar i Ligjeve miratoi të martën pr/ligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën hetimore speciale të EULEX-it”. Qeveria i propozon Kuvendit që ky p/ligj të kalohet me procedurë të përshpejtuar.
Pas miratimit në parim një ditë më parë, deputetët e të dyja palëve ranë dakort sot për miratimin dhe në tërësi të draftit, i cili i njeh misionit EULEX në Kosovë, autoritetin për të zhvilluar hetime edhe në Shqipëri lidhur me akuzat e përfshira në raportin e relatorit të Këshillit të Europës, Dick Marty, për një trafik të mundshëm organesh të zhvilluar nga UÇK në fund të viteve ’90, edhe në territorin shqiptar.
Sipas relacionit të pr/ligjit “Shqipëria e konsideron të domosdoshëm rrëzimin njëherë e përgjithmonë të akuzave të ngritura nga Dick Marty, duke e konsideruar të një rëndësie primare vendosjen e drejtësisë, që është njëkohësisht gur themeli për vendosjen e paqes dhe për të kundërshtuar çdo mundësi për cënimin e imazhit të shqiptarëve dhe luftës së drejtë të çlirimit të Kosovës”.
Pr/ligji, miratimi i të cilit kërkon shumicë të cilësuar (84 vota), pritet të kalojë për miratim në seancën parlamentare të ditës së enjte. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 08 May 2012 11:58