Tiranë – Atmosferës së festave të fundvitit në kryeqytet i janë shtuar dhe aktivitetet e shumta artistike, duke shtuar kështu edhe mundësitë e argëtimit për qytetarët.
Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, me rastin e festave të fundvitit, ka ndërtuar një kalendar aktivitetesh titulluar “Deri në fund në Opera”. Paraditen e sotme, në kuadër të festimeve, solistët e rinj të TKOB-së dhe kori interpretuan në një koncert për fëmijët e policvë të rënë në krye të detyrës. Ndërkohë që në mbrëmje do të vazhdojë të shfaqet baleti “Zhizel”. Edhe aktivitetet e artit skenik nuk kanë qenë të pakta, në prag të festave, ku disa shfaqje teatrore janë shfaqur në kryeqytet. Teatri i Metropolit ka shfaqur komedinë “Nuk ka burrë që tradhton gruan time” nga regjisori Milto Kutali, ndërkohë që një komedi tjetër është shfaqur në Teatrin Kombëtar të Komedisë, “XXL-TV”, nga Stefan Çapaliku, duke shtuar kështu të qeshurat në prag të festave të fundvitit.
Galeria Kombëtare e Arteve ka çelur ekspozitën e saj më të re, “Onufri 2011”, ku 22 artistë prezantojë pikturën moderne shqiptare ndër vite. Kuratori i ekspozitës, Alban Hajdinaj është përpjekur të thyej ritualin e “Onufrit” që përqëndrohej tek artistët e kohëve të fundit, duke u kthyer pas në kohë për të gjetur komponentë të modernes në fotografitë e viteve ’20-’30 apo në pikturat e viteve ’60-’90.
Atmosferës festive këtë vit do t’i shtohet edhe Festivali i Këngës së Lehtë në RTSH, i cili për katër netë do të sjellë për publikun muzikë shqiptarë, në Pallatin e Kongreseve.
Pas një jave me koncerte, dhe shfaqje teatrore TKOB do të ringjis në skenën e tij, “Mbrëmjen Gala”, një traditë për të cilën artistët e këtij institucioni kanë filluar provat, ndërkohë që koncerti do të ngjitet në skenë mbrëmjen e 30 dhjetorit.
Saturday, 24 December 2011 20:00