Prishtinë-Partnerët e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, kanë nisur bisedimet për një riformatim të ri të qeverisë aktuale. Edhe pse nuk konfirmohet zyrtarisht, sipas raportimeve në media AKR-ja e Behxhet Pacollit do të marre Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, të drejtuar aktualisht nga Besim Beqaj.
Zyrtarë të kësaj partie thanë për Radion Evropa e Lirë se brenda një periudhe të shkurtër kohore, do të behen publike te gjitha detajet e ndryshimeve dhe emrat e ministrave të rinj. Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se në diskutime e deritashme me kryeministrin Hashim Thaçi, janë pajtuar se qeverisja aktuale ka nevojë për ndryshime.
“Jemi pajtuar që duhet të vazhdojmë bisedimet dhe procesin e reformave të mirëfillta ekonomike. Të dyja palët janë pajtuar se ka nevojë për rishikim të përgjithshëm të funksionalitetit të qeverisë, pa përjashtime”-tha Kusari- Lila. Pa dashur të përmendë se cilat ministri synon t’i udhëheqë me ndryshimet e reja, Kusari-Lila u shpreh se objektivi I AKR-së është zbatimi sa më i madh i reformave ekonomike.
Nga ana tjetër, edhe zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, thonë se nga bisedimet e deritashme, të dyja palët kanë rënë dakord që të vazhdojnë me koalicionin qeverisës, duke shqyrtuar mundësitë e forcimit dhe konsolidimit të qeverisjes së mirë në vend.
Qeveria e Kosovës ka nëntëmbëdhjetë ministri, një prej tyre ajo e Financave, është aktualisht pa ministër, pasi Bedri Hamza dha dorëheqjen nga posti. Ndërsa ministri aktual i Ministër i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, është larguar nga koalicioni Aleanca Kosova e Re, dhe i është bashkuar PDK-së, së Hashim Thaçit.
Sunday, 03 March 2013 15:05