Shkup – Lideri i Bashkimit Demokratik për Intregrim Ali Ahmeti mbrwmw u takua me kryeministrin e Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili po qëndron për vizitë pune në Republikën e Maqedonisë.
Gjatë takimit janë këmbyer mendime për proceset eurointegruese të Maqedonisë, për zhvillimin e marrëdhënieve të përgjithshme mes dy vendeve, me theks se ka hapësirë që ato të thellohen në të gjitha sferat e jetës shoqërore, për rritjen e investimeve turke në vend dhe tema tjera me interes të ndërsjellë.
Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti pas takimit tha se takimi ishte shumë miqësor, në të cilin kanë biseduar për tema mjaft të rëndësishme, në veçanti për Maqedoninë.
“U dakorduam që Turqia si një fuqi mjaft e madhe ekonomike, të investojnë në Maqedoni, të inkurajohen investitorët turq që këtu të sjellin kapitalet dhe investimet e tyre. Kam siguruar kryeministrin turk se nuk do të ketë vështirësi birokratike, por do të përpiqemi të punojmë dhe të gjitha lehtësitë ligjore t’i krijojmë në kuadër të shtetit, duke respektuar gjithmonë ligjet”, tha Ahmeti pas takimit.
Lideri i BDI-së po ashtu potencoi se gjatë takimit me kryeministrin turk ka kërkuar ndihmën e Turqisë, si një vend anëtar i NATO-s që të ndihmojë në drejtim të anëtarësimit të Maqedonisë në NATO, si dhe ruajtjen dhe kultivimin e vlerave të përbashkëta që ka Maqedonia me Turqinë.
Paraprakisht, kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan u takua edhe me kryeministrin e Maqedonisë Nikolla Gruevski, presidentin Gjorge Ivanov, kryeparlamentarin Trajko Veljanovski dhe liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi.
Nesër, kryeministri turk, në kuadër të qëndrimit të tij në Maqedoni, do të realizojë vizitë edhe në Tetovë dhe në Ohër, ku do t’i vizitojë tempujt fetarë dhe monumentet kulturore historike në këto dy qytete.
Friday, 30 September 2011 08:31