Kryetari i Partisë së Drejtësisë njëherit ministër i Shëndetësisë, Ferid Agani, ka thënë se deklaratat e deputetit të partisë së tij, Gëzim Kelmendi, për heroin kombëtar, Skënderbeu, janë nxjerrë nga konteksti “me qëllime të caktuara”.
“Sipas informatave që unë i kam marrë nga deputeti, dhe ai i paska paraqit ato edhe publikisht në televizion, bëhet fjalë për nxjerrjen e një fjalie nga konteksti me qëllime të caktuara, të një deklarate të dhënë para dy-tre muajve, e nxjerrë tash për qëllime të caktuara sepse shumë tema po aktualizohen në momente të caktuara dhe mendoj se kur diskutohet për një deklaratë të një personi që është nxjerrë nga kontekstit, bie fjala e deputetit,deputeti ka integritetin e tij politik, përfaqësues dhe ai përgjigjet për atë që ka thënë”, ka deklaruar Agani në një intervistë për Express.
Agani ka thënë se mendimi i tij si individ është se Skënderbeu është hero kombëtar, mirëpo nuk është distancuar nga deklaratat e deputetit Kelmendi.
“Mendimi i Ferid Aganit si individ është se Skënderbeu është një hero kombëtar, figurë e gjithë shqiptarëve i cili reflekton njeriun që e ka mbrojt pragun e shtëpisë, se a ka elemente të luftës fetare në atë proces, fjalën më të mirë e japin historianët e kohës. Unë nuk jam historian, është absurde të diskutohet me mua kjo temë sepse nuk jam historian, unë ju thashë se çka mendojë për figurën e Skënderbeut si një figurë kombëtare që është simbol i kombit shqiptar për mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe një rezistencë në atë fazë. Në asnjë mënyrë nuk distancohem nga një deklaratë që është nxjerrë prej konteksti i një fjalimi të tërë të tij”, ka thënë Agani.
Agani ka thënë se qëndrimet e deputetit Kelmendi, janë qëndrime personale të tij dhe ka shtuar se është e drejtë e çdo deputeti apo figure publike që të jap mendimet e tij apo qëndrimet në lidhje me një figurë historike. Ai ka shtuar se Kosova ka probleme shumë më të mëdha se sa të merret me çështje fetare apo historike.
Agani nuk ka dashur të komentojë në lidhje me ligjëratën e Hoxhë Irgan Salihut. “Mirë kjo është temë që unë duhet me elaboruar së paku 15 minuta dhe ju thashë që po më presin në një takim tjetër jashtë”, ka thënë ai.
Ai ka dhënë edhe mendimin e tij lidhur me rishikimin e teksteve shkollore të historisë.
“Unë mendoj personalisht se ka qenë kërkesë e Këshillit të Europës që të gjitha tekstet shkollore të shihen dhe të shihet influenca ideologjike në to. Prandaj, ne jemi shtet që synojmë Europën prandaj është shumë normale që të bëhet një rishikim që të dihet a ka ngarkesë ideologjike apo jo, por çdo gjë që them mund të jem gabim sepse kjo fushë nuk është e domenit tim”, tha Agani.
Ai ka këmbëngulur se për disa çështje nuk është kompetent të flas, pasiqë sipas tij, u takon zyrtarëve nga Ministria e Arsimit të komentojnë rreth çështjeve të arsimit, Sa u përket shumë çështjeve që sipas Aganit, kohëve të fundit janë bërë senzacionale, ai ka thënë se mund të bëhen edhe debate nëpër tryeza të rrumbullakëta.
“Në qoftë se ka aq shumë interesim të mediave rreth këtyre temave, urdhëroni dhe bëjmë debate në tryeza të rrumbullakëta edhe e diskutojmë çështjen me ekspertë.Së fundi këto janë deklarata individuale dhe për këtë ekziston përgjegjësia individuale as më shumë as më pak. Nuk ka nevojë me bë grupë për dhe kundër”, ka deklaruar ai.
Mirëpo kur i është thënë se në rastin e Kelmendit bëhet fjalë për një deputet të Kuvendit të Kosovës, Agani është përgjigjur:
“Në bazë të ato që ai mi ka thënë mua bëhet fjalë për një fjali të nxjerrë nga konteksti dhe tash këtë mund ta interpretojnë njerëzit. Nuk kemi nevojë ta bëjmë problem këtë punë meqë ju keni shumë paraqitje publike ku figura e Skënderbeut, që unë thashë se e konsiderojë si figurë e unitetit kombëtarë kur është në pyetje mbrojtja e pragut të shtëpisë, shumë herë është vlerësuar si atlet i krishterimit dhe shumë të tilla. Tash duheni me i pyet ata që e kanë kualifikuar ashtu, ata i kanë argumentet e tyre. Ju thashë kjo është çështja nga njëra anë me përgjegjësi individuale e çdo qytetari por edhe deputetit që ta ketë mendimin e vet për diçka, por në anën tjetër është edhe çështje personave kompetentë, historianëve, që ta vlerësojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse. Nuk është çështje bardh e zi veçanërisht kur bëhet fjalë për deklarata të nxjerra nga konteksti”.
Tuesday, 11 June 2013 18:04