Lajme Shqip Tuesday, 18 October 2011 16:34

Tiranë (PLOTËSUAR 16:34) – Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka vizituar minatorët e plagosur në shpërthimin në Bulqizë, ditën e sotme, të cilët janë duke marrë një trajtim të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë.

Pasi është interesuar mbi gjendjen e të plagosur dhe ka komunikuar në stafin mjekësor  Vasili tha se “gjendja e të plagosurve është nën kontroll, ndërsa po marrin një trajtim të shpejtë dhe professional”. Edhe gjendja e të plagosurve të tjerë në Bulqizë është nën kontroll”.

Reagimi i MSH për ngjarjen ka qenë i menjëhershëm, ndërsa po ndiqet në vijimësi.

“Të gjitha spitalet janë në gadishmëri, jo vetëm Bulqiza që  ishte ndihma e parë, por dhe  Burreli si spital rajonal më i afërt. Ndërhohë grup me mjekë kirurgë, reanimatorë janë nisur drejt spitalit të Bulqizës”, tha Vasili.

Sipas tij, në kohën më të shkurtër të mundshme u arrit të transportoheshin rastet më të rënda, të cilat janë në spitalin ushtarak, sigurisht që transporti i tyre është bërë brenda një kohë minimale.  Ndërsa pjesa tjetër e të plagosurve po ndiqen në spitalin e Bulqizës, por me specialistë të tjerë të dërguar nga Tirana.

“Po ndjekim hap pas hapi situatën e çdo të sëmuri, ndërkohë ne kemi dërguar helikopterët tanë sërisht në vend ngjarje, për të siguruar transportin në rast të cdo komplikacioni të mundshëm”, garantoi Vasili.

Situata po ndiqet në çdo moment nga mjaft mjekë nga spitali i Bulqizës, por dhe grupe të specializuara të dërguara nga Tirana, në mënyrë të vecantë, të cilët janë në komunikim online me stafin e Ministrisë së Shëndetësisë.

*****************************

Tiranë (PLOTËSUAR 13:42) – Albanian Krom, ACR, firma koncesionare e minierës së kromit në Bulqizë, me anë të një njoftimi për shtyp, bën me dije se “gjatë punës për hapjen e pusit të ri numër 9, një nga detyrimet e marrëveshjes koncesionare me METE, është hasur një vatër hidrogjeni. Grupi ekspert i ajrimit, në përbërje të të cilit është gaz-matësi dhe tre punëtorë ajrimi, kanë vajtur në front për të matur gazin dhe për të përgatitur tubat për ajrimin e frontit. Pas disa momentesh kur këta ekspertë kanë qënë në distancën rreth 40-50 metra larg ballit të punimit ka ndodhur shpërthimi i gazit.

Ky shpërthim, thuhet me tej në njoftim, ka shkaktuar humbjen e jetës të punëtorit të ajrimit, Naim Shytit dhe plagosjen e 7 minatorëve të tjerë.

Arsyeja e shpërthimit ende nuk është e ditur, por priten përfundimet e ekipeve eksperte dhe të RISHM, të cilët do të përcaktojnë dhe shkakun.

ACR shpreh hidhërimin e thellë për humbjen e jetës së punëtorit të ajrimit Naim Shyti. Ndërkohë po merr të gjitha masat për trajtimin shëndetësor  të minatorëve të tjerë.

Njoftimi i ACR, vjen pas shpërthimit të ndodhur sot me datë 18 tetor në minierën e kromit në Bulqizë, rreth orës 10:00, ku një aksident i rëndë ka ndodhur në pusin 2, niveli i 16-të i minierës së Bulqizës.

****************************

Tiranë (PLOTËSUAR 13:15) – Zv/ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës, Neritan Alibali deklaroi se METE kishte lëshuar një urdhër për pezullimin e punimeve në minierën e Bulqizës deri në riparimin e difekteve që mund të ishin krijuar pas ndërprerjes së punimeve për shkak të një greve disa ditore nga ana e minatorëve.

Në një prononcim për mediat, nga Bulqiza, Alibali theksoi se do të verifikohet situata për të kuptuar nëse grupi i minatorëve ishte në minierë për të riparimin e difekteve të ndodhura për shkak të ndërprerjes së punimeve, apo  kishte nisur puna kundër urdhërit të ministrit të METE-s.

Sipas tij, kreu i METE-s, Nasip Naco ka mbledhur sot paradite shtabin e emergjencave civile për të diskutuar për shpërthimin që ka ndodhur sot në minierën e Bulqizës.

Paraditen e sotme rreth orës 09.05 minuta ndodhi një shpërthim gazi në nivelin e 16 të minierës së Bulqizës konkretisht në pusin numër 2. Sipas të dhënave paraprake të 8 persona janë plagosur, ndërsa 1 person ka ndërruar jetë në minierën e Bulqizës.

Burime zyrtare nga Policia e Qarku Dibër bënë të ditur se në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e shpëtimit dhe ato policore, të cilat iu erdhën në ndihmë minatorëve të lënduar si pasojë e kësaj ngjarje të rëndë.

Në Bulqizë kanë mbërritur helikopterët, të cilët kanë transportuar drejt Spitalit Ushatarak në Tiranë, 3 minatorë të plagosur, gjendja shëndetësore e të cilëve paraqitet e rëndë.

****************************

Tiranë (12:44) Kompania koncesionare “ACR” ka reaguar sot në lidhje me shpërthimin e ndodhur në minierën e Bulqizës.

Në një deklaratë për shtyp “ACR” ka sqaruar edhe ngjarjen duke theksuar se aksidenti i rëndë ka ndodhur në pusin 2, niveli 16-të i minierës së Bulqizës gjatë punës për hapjen e pusit të ri numër 9. Sipas ACR-së gjatë hapjes së këtij pusi, që është edhe një nga detyrimet e marrëveshjes koncesionare me METE, është hasur një vatër hidrogjeni.

“Grupi ekspert i ajrimit në përbërje e të cilit është gaz-matësi dhe tre punëtorë ajrimi kanë vajtur në front për të matur gazin dhe për të përgatitur tubat për ajrimin e frontit. Pas disa momentesh kur këta ekspertë ishin në distancë rreth 40 – 50 metra larg ballit të punimit ka ndodhur shpërthimi i gazit” thekson ACR.

Sipas ACR-së si pasojë e këtij shpërthimi punëtori i ajrimit, Naim Shyti, ka humbur jetën dhe 7 minatorë të tjerë janë plagosur. Kompania “ACR” thekson se ende nuk dihet arsyeja e shpërthimit, por priten përfundimet e ekipeve eksperte edhe të RISHM, të cilët do të përcaktojnë dhe shkakun.

“ACR shpreh hidhërimin e thellë për humbjen e jetës së punëtorit të ajrimit Naim Shyti. Ndërkohë po merr të gjitha masat për trajtimin shëndetësor të minatorëve të plagosur” thekson ACR-ja.

Ndërkohë METE ka theksuar se është dhënë urdhër për pezullimin e punës në minierë derisa të merreshin masat për riparimin e dëmeve nga greva. Sipas METE-s do të verifikohet nëse është shkelur urdhri dhe më pas do të nisin edhe procedurat për shkelësit.

Edhe specialistët e shtetit nuk dinë gjë!…

Drejtori i Repartit të Inspektimit dhe Shpëtim Minierave RISHM, Saimir Zekaj, i pyetur në lidhje me shpërthimin e gazit në minierën e Bulqizës, deklaroi se “Inspektorët tanë, kanë shkuar menjëherë në vend ngjarje për të hetuar mbi shkaqet e saj”.

“Ajo që mund të them është se para një muaj, RISHM ka kryer vëzhgimin e fundit në këtë zonë të minierës dhe i ka lënë detyrat të caktuara për rehabilitimin e minierës specialistëve të kompanisë Albanian Crom ACR”, bëri me dije drejtori i RISHM.

I pyetur për shkaqet e ngjarjes u shpreh se “është herët për ti përcaktuar, pasi gjendja është tepër kaotike, dhe momentalisht po punohet për pastrimin e zonës dhe më tej do filloj ekspertiza të kryej hetimet e saj”, përfundoi Zekaj.