Lajme Shqip Tuesday, 13 October 2015 14:40

Gati një muaj kanë kaluar që kur Bekim Mulolli u vra duke luftuar në Siri. Vdekjen e tij e kishin konfirmuar vetë familja e tij nga Vranjevci i Prishtinës. Mulolli dyshohet se gjatë kohës kur u largua nga Kosova ishte nën masën e arrestit shtëpiak. E paradoksi i radhës vjen nga Gjykata Themelore e Prishtinës, e cila pohon se shumë shpejt do të nisë shqyrtimi i lëndës dhe seanca për Mulollin, e ardhur në duart e saj nga EULEX’i, ndërkohë që Bekim Mulolli tashmë është i vdekur

Gjykata Themelore e Prishtinës ende po merret me rastin e Bekim Mulollit, kosovarit që u vra muajin e kaluar në Siri, ndërkohë që i njëjti ishte pjesë e një procesi gjyqësor të nisur dy vite më parë, nën dyshimet për organizim dhe pjesëmarrje në terrorizëm.

Ai, në Shkurt të vitit 2015, kishte pranuar para Gjykatës Themelore të Prishtinës se ka sulmuar dy misionare katolike, shtetase të huaja, ndërkohë që kishte pasuar ndaj tij masa e paraburgimit, e më vonë e zëvendësuar me masë të arrestit shtëpiak. E gjatë kësaj kohe, Bekim Mulolli dyshohet se u largua nga Kosova, për t’iu bashkuar vëllait të tij, Bashkimit, dhe qindra luftëtarëve tjerë nga Kosova, të cilët janë duke luftuar përkrah ISIS’it në Siri.

Por, Policia e Kosovës e ka mohuar një gjë të tillë. Sipas tyre, në maj, në seancën e mbajtur nga Gjyqtarja e EULEX’it, Bekim Mulollit me vendim i është hequr masa e arrestit shtëpiak dhe për këtë arsye i njëjti nuk është vizituar më nga Policia.

Megjithatë, krejt ndryshe kishte pohuar për Gazetën Express avokati i Mulollit, Mentor Neziri. Ai fillimisht pretendonte se ka kohë që nuk ka qenë në kontakt me Bekim Mulollin edhe pse pohonte se vazhdon ta kishte klient, por duke mohuar se ishte në dijeni nëse klienti i tij është larguar nga Kosova apo është vrarë. Por, një ditë pas publikimi të lajmit për vrasjen e palës së tij në Siri, Avokati Mentor Neziri nuk ka pranuar të flasë më për Gazetën Express.

Nga ana tjetër, Gjykata Themelore e Prishtinës e kontaktuar për rastin në fjalë, përmes zëdhënëses Mirlinda Gashi, pohojnë se lënda e Bekim Mulollit do të shqyrtohet në ditët në vijmë. Çuditërisht, kjo gjykatë njofton edhe për një seancë ndaj tij, edhe pse Mulolli ka gati një muaj që është konfirmuar, nga familja, i vrarë në Siri.

“Lidhur me kërkesën tuaj që keni parashtruar ne ju njoftojmë se kjo lëndë ka arritur nga Eulex’i në Gjykatën Themelore në Prishtinë para një periudhe të shkurtër kohore ,andaj në momentin që do të filloj shqyrtimi i lëndës do të keni informatën e kërkuar. Seanca do të mbahet së shpejti”, thuhet në përgjigjet për Gazetën Express të zëdhënëses Gashi.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe EULEX’in, përmes zëdhënëses Dragana Nikolic-Solomon. Por, në përgjigjen e saj thuhet se prej muajit mars 2015, institucionet e Kosovës kanë marrë përsipër që mediat dhe publikun e gjerë t’i mbajnë të informuar rreth aktiviteteve të Gjykatave dhe Prokurorisë në Kosovë, duke na drejtuar tek Prokuroria Speciale e Kosovës.

Derisa, këta të fundit vetëm konfirmojnë aktakuzën e ngritur në janar të 2015’ës ndaj Bekim Mulollit dhe disa personave të tjerë, por që sipas tyre informatat shtesë mund t’i marrim vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

“Për të marrë përgjigje në pyetjet e Juaja, mund t’i drejtoheni gjykatës kompetente sepse pas ngritjes së aktakuzës përgjegjësia i takon gjykatës”, ka thënë për Gazetën Express, Liridona Kozmaqi.

E kjo gjykatë përkundër kërkesës së gazetës për t’i siguruar vendimet e fundit të marra ndaj Bekim Mulollit, të cilat do të sqaronin nëse ai kishte masë arresti shtëpiak apo jo në kohen kur iku nga Kosova, nuk i’a kanë mundësuar Gazetës Express të ketë qasje në dokumente të tilla, përkundër disa jave pritje.

Ndryshe, Bekim Mulolli nga Kosova u largua në fillim të korrikut përmes pikës kufitare të Hanit të Elezit dhe në drejtim të Maqedonisë, për të përfunduar në Siri ku edhe u vra tre muaj më pas. /GazetaExpress