Strasburg – Presidenti palestinez, Mahmud Abas sot në një fjalim para Asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) ju bëri thirrje vendeve evropiane ta mbështesin “pranverën palestin
eze” dhe kërkesën e palestinezëve për anëtarësim në OKB.
“Ju e mbështetët “pranverën arabe” e cila synonte drejt demokracisë dhe lirisë. Tani shfaqet “pranvera palestineze” e cila synon drejt lirisë dhe dhënies fund okupimit. Ne e meritojmë mbështetjen tuaj”, theksoi Abas në fjalimin para deputetëve.
Ai potencoi se e mbështet vazhdimin e negociatave paqësore izraelito-palestineze, me kusht që Izraeli ta ngrijë ndërtimin e lagjeve të reja në Bregun Perëndimor dhe në Jerusalemin Lindor.
“Kjo nuk është kërkesë e jona, por obligim i cili del nga udhërrëfyesit për paqe (të përgatitura nga ‘katërshja’ ndërkombëtare për Lindjen e Afërt)”, theksoi Abas.
Fjalimi i Abasit para APKE-së vjen vetëm dy ditë pasi kjo Asamble panevropiane e Këshillit kombëtar palestinez i ndau statusin e “partnerit për demokraci”. Në këmbim të këtij statusi, Këshilli kombëtar palestinez në një letër të dërguar deri te APKE-ja u obligua se do t’i mbrojë vlerat e Këshillit të Evropës, se do të organizojë zgjedhje të lira dhe korrekte dhe se do të angazhohet për ndërprerjen e dënimit me vdekje.
Nga ana e tij APKE u obligua t’i ndjek çështjet kryesore nga jeta demokratike, siç janë negociatat për krijimin e qeverisë së bashkimit kombëtar dhe reformës së Këshillit kombëtar dhe nga palestinezët kërkoi që të përmbahen nga të gjitha llojet e dhunës, ta hedhin poshtë terrorizmin dhe ta njohin të drejtën e ekzistimit të Izraelit.
Duke u përqendruar në kërkesën për njohjen e të drejtës së ekzistimit të Izarelit, Abas tha se ajo paraqet “parakusht të papranueshëm” i cili kanoset që konfliktin izraelito-palestinez ta shndërrojë në përplasje rajonale.
“Ne jemi kundër dhunës dhe terrorizmit edhe krahas provokimeve të shumta nga pala izraelite. Nuk do të lejojmë të na tërheqin në ekstremizëm Ne nuk do të nisemi në këtë rrugë”, porositi Abas nga foltorja e APKE-së.
Thursday, 06 October 2011 20:28