Lajme Shqip Wednesday, 14 October 2015 13:01

Sot në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku është vendosur që nesër të mbahet seanca parlamentare e radhës, është zhvilluar një debat goxha i ashpër në mes të kryetarit Kadri Veseli, dhe përfaqësuesve të LDK-së në Kryesi, Ismet Beqiri e Sabri Hamiti.

Këta dy të fundit, kanë kritikuar kryetarin Veseli, se në rastet e sjelljeve të dhunshme të deputetëve të opozitës në Kuvend, ai nuk është duke e respektuar Rregulloren e Punës së Kuvendit, raporton lajmi.net.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se në Kuvend kanë hyrë deputetë të armatosur dhe në këtë rast duhet respektuar Rregullorja e Punës së Kuvendit.

 

Me këtë rast, kryetari Veseli, ka pyetur anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, nëse e kanë fjalën që deputetët e opozitës duhet nxjerrë me polici nga salla e Kuvendit, dhe ka mohuar këtë mundësi, duke thënë se këtë nuk do ta bëj asnjëherë.

Ai me këtë rast ka dhënë dy propozime, që të përjashtohen deputetët e opozitës nga seancat dhe tjetri që në seancë të jetë prezente edhe policia.

Ndërsa, për këto propozime ai nuk ka marrë përgjigje nga përfaqësuesit e LDK-së, si më të zëshmit në kërkesat e tyre për respektim të Rregullores së Punës së Kuvendit.

Sabri Hamiti, duke komentuar propozimet e kryetarit Veseli, ka thënë se nuk bëhet fjalë për dëshira. “Unë as që dua t’i durojë e as t’i përjashtoj, por duhet të respektohet Rregullorja e Punës së Kuvendit. Në Kuvend është duek u luajtur lojë e konfliktit dhe është kaluar çdo kufi”, ka thënë Hamiti.

Tutje, kryetari Veseli, ka thënë se për çdo sulm eventual ndaj deputetëve, duke përfshirë edhe vetën, nuk do të lejojë futjen e sigurimit.  Ndërsa, për kërkesat e përfaqësuesve të LDK-së, për respektim të Rregullores së Punës së Kuvendit, ka kërkuar prej tyre që të japin propozime se si të respektohet ajo.

Kryetari Veseli ka vazhduar të kërkojë nga Kryesoa, që të dalë me një vendim lidhur me dy propozimet e tij për zbatimin e Rregullores.

Ndëra, përfaqësuesi tjetër i PDK-së në Kryesi, Xhavit Haliti, ka thënë se kryetari Veseli ka bërë mirë që nuk ka lejuar sigurimin të futet në sallë. Ai ka thëën se Kryetari nuk ka nevojë të marrë vendime pa u konsultuar paraprakisht me Kryesinë. Sipas tij, duhet lejuar opozitën që t’i shtjerrë të gjitha mundësitë në Kuvend.

Ai ka propzuar që seanca e nesërme të mbahet dhe nëse nuk ka kushte për të vazhduar të nderpritet për disa minuta dhe të shqyrtohen masat për t’u ndërmarrë më pas. /lajmi.net