Disa nga të përditshmet e sotme i kanë kushtuar një hapësirë të veçantë lajmit se Emiliano Shullazi, një emër i njohur i botës së krimit në Tiranë, është kapur para dy ditësh duke lëvizur me një makinë të Kuvendit. 
Shullazi, emri i të cilit shfaqet në disa nga ngjarjet më të bujshme në Tiranë, ishte në makinën Benz së bashku me shokun e tij, Gilmando Dani.
Ndërkohë mësohet se Kuvendi është shprehur se makina kishte dalë për shitje. Policia e ka arrestuar Shullazin për armëmbajtje pa leje. Shullazi u përfshi në fushatën elektorale në incidente kundër përfaqësuesve të Partisë Socialiste.
Edhe policia deklaroi se makina ishte blerë nga Kuvendi më 19 shtator nga një person i quajtur B. Dobrushi.
Kuvendi mohon pronësinë
Kuvendi i Shqipërisë sqaroi sot zyrtarisht se automjeti ku u kap ish-i dënuari Emiljano Shullazi nuk është pronë e këtij institucioni, por që nga muaji qershor 2011 i ka kaluar Rezervave të Shtetit.
Në një prononcim zyrtar Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Marlind Myftiu, duke përgënjeshtruar zërat e publikuar sot në media, tha se makina tip Benz TR 2703 L nuk është pronë e Kuvendit të Shqipërisë.
“Sqarojmë se kjo nuk është e vërtetë, pasi nga muaji qershor 2011 makina e lartpërmendur i është dorëzuar Rezervave të Shtetit, një veprim ky i kryer në përputhje me ligjin dhe që tregohet qartë dhe nga procesverbali i dorëzimit dhe hyrja e mjetit në Rezervat e Shtetit”, tha sekretari i përgjithshëm i Kuvendit.
Ai nënvizoi se lajmi i publikuar në shtypin e sotëm është “një mashtrim dhe është larg profesionalizmit, etikës dhe misionit që ka media”.
Thursday, 10 November 2011 11:03