Kajro – Një shpërthim jehoi në gazpërçuesin i cili i lidh Egjiptin, Izraelin dhe Jordaninë, për të gjashtën herë këtë vit.
Shpërthimi në pjesën veriore të gadishullit Sinait është i pari prej 24 tetorit, kur u ripërtëri rrjedha e gazit. Incidenti ka ndodhur në afërsi të vendbanimit Mazar, 60 kilometra në perëndim të qytetit Al Arish.
Një burim nga forcat e sigurisë të Egjiptit deklaroi se sipas informatave të para bëhet fjalë për sabotim. Përçimi i gazit është ndalur.
Autoritet egjiptiane për sabotimet e shpeshta ndaj gazpërçuesit e akuzojnë organizatat ekstremiste, të cilat veprojnë në Sinaj, në radhët e të cilëve ka edhe anëtarë të Al Kaedës.
Jordania me gazin egjiptian i furnizon rreth 80 për qind të nevojave të prodhimit të energjisë elektrike, Egjipti e furnizon këtë shtet nga 2,4 miliardë metër kub gaz në vit. Vitin e kaluar është dakorduar rritja e furnizimit deri në 3,3 miliardë metra kub.
Pjesa izraelite e gazpëçuesit nuk punon tashmë katër muaj për shkak të sulmit të ngjashëm. Egjipti i dërgon Izraelit më shumë se 1,7 miliardë metra kub gaz, duke furnizuar rreth 40 për qind të nevojave të tij.
Thursday, 10 November 2011 10:25