Lajme Shqip Tuesday, 08 November 2011 15:30

Shkodër – Drama “Dy jetë”, me autor Fadil Krajën dhe me regji të Fatbardh Smajës, pati mbrëmë premierën në skenën e teatrit “Migjeni” të qytetit të Shkodrës.

Artedashës të shumtë shkodranë, mes të cilëve edhe drejtuesit më të lartë të qeverisjes lokale, konsulli italian në Shkodër, Roberto Andreoti etj, nuk nguruan të përcjellin duartrokitje të shumta për lojën mjeshtërore të aktorëve Merita  dhe Sara Smaja, Rita Gjeka, Agron Gjeka, Arben Spahija, Jozef Shiroka, të cilët sollën emocione të veçanta me interpretimin e tyre profesional.

Drama “Dy jete”, e cila i referohet periudhës së regjimit komunist parë edhe në kontekstin e sotëm, është e mbështetur në një temë shumë të ndjeshme sociale, marrëdhëniet prind-fëmijë, situatat që krijohen në këto marrëdhënie, problematikat që lindin dhe reflektimin e tyre në shoqëri.

Sipas shkrimtarit Kraja dhe regjisorit Smaja, teatri “Migjeni” i Shkodrës me këtë dramë bën një hap përpara në drejtimin e ecjes me kohën, me ritmin e rinovimit, shijeve, të emocioneve, sukses ky që është arritur përmes një pune të jashtëzakonshme që është bërë nga stafi i kësaj trupe, pa lënë mënjanë mbështetjen e vazhdueshme në aspektin organizativ të drejtorisë së teatrit si dhe të vetë bashkisë së Shkodrës.

Drama “Dy jetë” pak ditë më parë u prezantua në Kosovë ku mori pjesë në festivalin e 41-te të teatrit në Ferizaj, ku dy aktorët kryesorë të kësaj drame, Merita Smaja dhe Arben Spahija, u nderuan me çmime përkatëse. Kështu, Merita Smaja u shpall aktorja më e mirë e festivalit duke u nderuar me çmimin “Adriana”, ndërkohë që kolegu i saj Arben Spahija, u nderua me çmimin si aktori më i mirë në rolin episodik. Organizatorët bëjnë të ditur se drama “Dy jetë” do të vijojë të shfaqet në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës edhe gjatë dy ditëve në vazhdim.