Prishtinë – Zyra e Auditorit Gjeneral ka kritikuar Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik në Kosovë, se nuk po
monitoron si duhet mbikqyrjen e tenderimeve të mëdha.
Zyra e Auditorit Gjeneral ka theksuar se Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik, nuk i është përmbajtur pothuaj asnjërës prej detyrave që janë pjesë e obligimeve në fushën e prokurimit.
Kreu i Auditorit general, Lage Ollofson, ka thënë se të gjeturat rreth procedurave të prokurimit tregojnë se ende ekziston një shkallë e lartë e keqpërdorimit të parasë publike.
Më keq se raporti i progresit, Auditori ka gjetur se ka fshehje të mëdha të parregullsive rreth prokurimit që KRPP nuk i ka paraqitur në pasqyrat e monitorimit.
Ndërsa për shefin i këtij institucioni, Safet Hoxha, bëhet fjalë për kritika të pabaza.
“Nuk qëndrojnë ato kritika të raportit ët Auditorit. Sa iu përket monitorimeve, mund të them me shumë përgjegjësi se ne e kemi ndryshuar qasjen ndaj kësaj. Tani ne monitorojmë aktivitetet e prokurimit paraprakisht e jo si më herët, kur pas dy vjetëve është konstatuar se ka shkelje”, ka thënë Hoxha.
Por, nuk janë vetëm këto të gjeturat e përsëritura pothuaj çdo vit prej Auditorit. Pavarësisht rekomandimeve dhe kërkesave për veprim, sipas Auditorit, KRPP nuk i ka dhënë shumë rëndësi numrit të ankesave nga operatorët ekonomik.
Gjithashtu, sipas raportit të Auditorit, KRPP nuk është lodhur fare të paraqesë nivelin e bizneseve që kanë mashtruar institucionet, duke mos kryer obligimet. Kjo për faktin se, siç thotë Auditori, lista e zezë e bizneseve në KRPP ende nuk përmban asnjë të dhënë.
Për këtë, Auditori i ka rekomanduar Parlamentit që t’i kërkojë KRPP-së përmirësimin e nivelit të monitorimit të prokurimeve, në mënyrë që të sigurohet menaxhim më i mirë i mjeteve publike. (LajmeShqip.com)
Monday, 31 October 2011 12:08