Lajme Shqip Sunday, 30 October 2011 14:30

Tiranë – Deputetët demokratë në Komisionin e Ligjeve janë shprehur me anë të një deklarate për shtyp në lidhje me veprimtarinë për reformën në drejtësi të zhvilluar të premten nga Partia Socialiste.

Sipas deputetëve demokratë, “ditën e premte Partia Socialiste dhe grupi i saj parlamentar zhvilluan një veprimtari politike për reformën në drejtësi, e cila do të kishte qenë një event me të vërtetë shpresëdhënës, nëse stari i eventit, lideri i PS-së zoti Rama, do t’u kishte kërkuar ndjesë publike shqiptarëve për bllokimin mbi tre vjeçar që i ka bërë çdo nisme reformuese në fushën e drejtësisë”.

“Në fakt, z. Rama kishte përgatitur një veprimtari propagandistike, me të cilën qartazi synon të pengojë edhe më tej procesin e reformave dhe të angazhimeve integruese të Shqipërise”, thuhet në deklaratë.

Sipas tyre, “dallimi i vetëm është se këtë herë bllokimin po kërkon ta realizojë nëpërmjet veglave të verbëra të Partisë Socialiste në gjirin e drejtësisë”.

“Jo më kot ndërhyrjet më të zëshme iu lanë në dorë një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, zotit Ardian Dvorani dhe një prokurori të Prokurorisë së Pergjithshme, zotit Shkëlqim Hajdari. Të dy përfaqësuesit e drejtësisë merrnin pjesë në këtë veprimtari partiake (mesa duket me urdhër të Shefit), në kundërshtim flagrant me statusin, detyrën dhe funksionin e tyre shtetëror”, theksojnë deputetët demokratë.

“Zotit Rama mesa duket i intereson me fort keqpërdorimi i njerëzve të vet brenda drejtesisë, sesa respektimi qoftë dhe formalisht i pavarësisë së organeve të drejtësisë. Me këtë veprimtari Zoti Rama ka dashur tu tregojë shqiptarëve se për të, drejtësi e mirë, prokurori e mirë, apo gjyqësor i mirë, janë vetëm drejtësia, prokuroria apo gjyqësori i ushtarëve dhe vasalëve kamikazë”, thuhet ë deklaratë.

“Deputetët demokratë të Komisionit të Ligjeve nuk pajtohen me këtë vizion të mbrapshtë antireformë. Deputetët demokratë të Komisionit të Ligjeve janë të sigurtë se rruga e reformës është e papajtueshme me shfaqe të tilla të nënshtrimit grotesk të përfaqësuesve apo organeve të drejtësisë. Reforma bëhet me përkushtim, idealizëm e vetmohim. Reforma bëhet në Kuvend, atje ku zoti Rama nuk është prezent. Atje ne presim kolegët tanë socialistë, që me të njëjtin shpirt si ne, të japin mendimin, kontributin, vizionin dhe votën e tyre në të mirë të vendit dhe të integrimit”, përfundon deklarata e deputetëve demokratë të Komisionit të Ligjeve.