Lajme Shqip Saturday, 29 October 2011 19:30

Tiranë – Edi Rama, kryetar i opozitës shqiptare, ka zgjedhur rrjetet sociale për t’iu kundërvënë kryeministrit shqiptar, Sali Berisha. Ai e ka quajtur gënjeshtar, Berishën, të shtunën, pas deklaratës së tij se heqja e TVSH-së për produktet bujqësore dobëson ekonominë vendëse.

Pas deklaratës së Kryeministrit Berisha gjatë një përurimi në Berat se nuk do të hiqej TVSH-ja e produkteve ushqimore, reagoi Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama në faqen e tij të  zyrtare të Twitter: “Sali, ti gënjen, do të heqim taksën e bukës, qumështit vezëve, ilaçeve, dhe jo TVSH-në e prodhimeve të Tokës”.

Kreu i opozitës theksoi se fshatit duhet t’i hiqet TVSH- ja e imputeve bujqësore. “Nuk mund të shpëtosh fshatin me shirita inaugurimesh”, theksoi Rama në kundërpërgjigjen e vet.

Kryeministri Berisha u shpreh sot në Berat se nuk pranon propozimin e Partisë Socialiste për heqjen e TVSH-së për produktet ushqimore. Duke folur para banorëve të komunës Otllak, Berisha ka bërë akuzat e radhës ndaj opozitës dhe kreut të saj se “me heqjen e TVSH-së së ushqimeve kërkojnë të rrisin të ardhurat e tyre”.

“Krerët e PS-së duan heqjen e TVSH-së, por nuk mund të ketë heqje të saj. Ata e bëjnë këtë kërkesë për të rritur ardhurat e tyre. Ne nuk mund të lejojmë që prodhimet tuaja të mbeten në fushë, pasi fatmirësisht ky nuk është një ligj që kërkon 3/5”, u shpreh Berisha.