Lajme Shqip Saturday, 29 October 2011 19:44

Tiranë – Banka e Shqipërisë bën të ditur se interesat e Bonove të Thesarit gjatë muajit shtator ruajtën qëndrueshmërinë. Në ankandin e fundit të zhvilluar në Bankën e Shqipërisë, bonot me afat maturimi 12-mujor u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 7.68%, po aq sa në ankandin e mëparshëm. Vlera e bonove të emetuara ishte 6.5 miliardë lekë, ndërsa oferta arriti vlerën e 8.3 miliardë lekëve, çka tregon se tregu financiar ka interes dhe likuiditet për të financuar borxhin publik.

Në gjashtë ankandet e fundit, interesat e bonove me maturim 12-mujor janë luhatur vetëm me 0.04 pikë përqindjeje. E njëjta tendencë është shfaqur edhe në bonot me afat maturimi 6-mujor. Në ankandin e fundit ato u emetuan me një normë mesatare të ponderuar interesi prej 6.77%, nga 6.78% që ishte ky tregues në ankandin paraardhës. Qeveria emetoi bono në vlerën e 4.7 miliardë lekëve, nga të cilat 3.3 miliardë u financuan nga Banka e Shqipërisë me ofertë jo konkurruese. Edhe për bonot me maturim 6-mujor oferta për financim ishte ndjeshëm mbi shumën e kërkuar, në vlerën e 5.2 miliardë lekëve.

Interesat e Bonove të Thesarit janë një tregues i rëndësishëm në tregun e brendshëm financiar, sepse përveçse përcaktojnë koston e borxhit publik, përcaktojnë edhe interesat e kredive në monedhën vendëse.