Lajme Shqip Saturday, 29 October 2011 16:59

Bangkok – Gjendja me përmbytjet në kryeqytetin tajlandez Bangkok po përkeqësohet, pasi ujërat e derdhura  filluan t’i afrohen zonës qendrore të qytetit.

Në disa vende në Bangkok, veçanërisht në pjesët veriore, uji arrin deri në një metër, ndërsa për herë të parë në historinë e qytetit janë përmbytur edhe Pallati  mbretëror dhe tempulli i Budës.

Niveli i ujit të lumit Çao Praja arriti rekord të ri prej 2,47 metrave, që është vetëm tre centimetra nën lartësinë e digave të vendosura me qëllim që të parandalohet derdhja e tij.

Paralelisht me rritjen e nivelit të ujit të lumenjve, është regjistruar  edhe  baticë  e lartë e pazakontë në Gjirin e Sijamit, që pritet  të rezultojë me rritjen shtesë të nivelit në Çao Praja deri 2,65  metra.

Në kushte të rritjes  së rrezikut nga përmbytjet, kryeministrja  e  Tajlandës, Ingluk Shinavatra i bindë qytetarët e saj se gjendja  do të përmirësohet gjatë ditëve të ardhshme.

“Nëse të gjithë i përvishemi punës me seriozitet, uji në Bangkok  do të fillojë të ulet gjatë ditëve të para të nëntorit” theksoi ajo.

Bangkoku gjendet në lartësi mbidetare prej vetëm dy metrave.