Durrës – Promovimi i një romani në qytetin e Durrësit është bërë sot paradite shkak për një takim, në të cilin u promovuan edhe traditat e detarisë durrsake. Prezantuesja e njohur Silvana Braçe, së bashku me organizatorin e veprimtarisë Ardi Omeri, drejtuan një bashkëbisedim të këndshëm qytetar në sallën e Odeonit “Nikolin Xhoja”.
Kryetari i shoqatës kombëtare të detarëve “Adri-Jon”, Dashamir Janina, pasi vlerësoi nismën dëshmoi rëndësinë e ngritjes së një muzeu të detarisë në Durrës, ndërsa kujtoi përpjekjet për hartimin e një historiku të detarisë gjatë shekullit që kaloi.
Ish-kapitenët e anijeve tregtare, Alfred Semini dhe Pavllo Minga, sollën kujtimet e tyre nga lundrimet e gjata në të katër anët e globit. Sipas tyre, vlerësimi dhe dinjiteti i detarëve në portet e huaja duhen të jenë përsëri pjesë e shqetësimit të organizmave tonë detarë.
I ftuar në takim, deputeti Gazmend Oketa, përshëndeti detarët veteranë të pranishëm, duke kujtuar se në vitet e izolimit të madh të Shqipërisë bashkë me ekranet televizive të huaja informacionet e detarëve që ktheheshin nga lundrimi mbeteshin njoftime të vyera për të mësuar diçka mbi botën.
Romani “Kush e vrau dashurinë” u prezantua nga autori Albert Zholi, ndërsa u lexuan vlerësimet e shkrimtarëve Dritëro Agolli dhe Xhevahir Spahiu. “Albert Zholi edhe kur bën analiza, edhe kur zhvillon intervista, i bën në mënyrë poetike”, tha në përshëndetjen e saj poetesha Iliriana Sulkuqi.
Artistet e Popullit Tinka Kurti dhe Margarita Xhepa lexuan pjesë nga veprimtaria e autorit Albert Zholi. Aktorja Aishe Stari, Artiste e Merituar, bija e një detari me prejardhje ulqinake, tha se ngritja e një muzeu të detarisë në Durrës është një domosdoshmëri, që lidhet edhe me 100-vjetorin e shpalljes së Pavarsisë së vendit.
Saturday, 29 October 2011 16:05