Lajme Shqip Saturday, 29 October 2011 13:53

Prishtinë – Darka e Lamës e Ditës së Falënderimit u shtrua mbrëmë në Prishtinë, nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ku ishin të pranishëm personalitete të larta të vendit dhe përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare.

“Darka e Lamës është një festë e paraardhësve tanë, dardanëve ilirë dhe e të gjithë popujve të tjerë në lashtësi, një festë tradicionale në familjet tona, që u ruajt dhe u përcoll brez pas brezi, si festë gëzimi për punët e stinës”, tha Presidentja Jahjaga.

Ajo shtoi se përfundimi i korrje-shirjeve gjithmonë ka sjellë gëzimin e festës së përbashkët, Darkën  e Lamës, ku secili sjell ushqimin më të mirë që ka, në sofrën e përbashkët.

Jahjaga falënderoi të gjithë qytetarët e Kosovës për kontributin dhe përkushtimin e tyre për të ndërtuar një shoqëri demokratike dhe një shtet me perspektivë të paluhatshme evropiane.

“Në këtë darkë, dëshiroj të përgëzoj ushtarët dhe oficerët e KFOR-it, pjesëtarët e EULEX-it, të UNMIK-ut, si dhe përfaqësuesit diplomatik të shteteve mike në Kosovë. Kontributi juaj në rindërtimin e vendit tim dhe në ndërtimin e proceseve demokratike të një shoqërie stabile dhe të barabartë është i jashtëzakonshëm”, tha Presidentja kosovare.

Në Kosovë, Dita e Falënderimit – Darka e Lamës e rimori peshën që i takonte si akt i trashëgimisë shpirtërore e kulturore në vitin 2002, kur Presidenti historik  i Kosovës, Ibrahim Rugova, e shpalli festë shtetërore.