Tiranë – Shqipëria dhe Brazili firmosën të premten heqjen e vizave në 50-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Marrëveshja e heqjes së vizave u firmosur nga vetë ministri i Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto, i cili, me ftesë të homologut të tij, ambasadorit Antonio de Agijar, po zhvillon një vizitë treditore në Brazil.
Gjithashtu, mes dy shteteve u firmosën dhe marrëveshja e bashkëpunimit midis dy Ministrive të Jashtme, memorandumi i mirëkuptimit midis dy Akademive Diplomatike për bashkëpunim reciprok dhe trajnim të diplomatëve, si dhe memorandumi për bashkëpunim ekonomik.
Gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Brazilit u diskutua edhe mbi marrëdhëniet dypalëshe, bashkëpunimin në kuadër të organizatave shumëpalëshe, zhvillimet globale dhe në rajonin e Ballkanit.
Ministri Haxhinasto vlerësoi marrëdhëniet midis dy vendeve dhe nënvizoi se kjo vizitë, e cila kryhet në 50 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, përbën një moment historik për një dinamikë të re në marrëdhëniet midis dy vendeve.
“Kjo demonstrohet më së miri nga nënshkrimi i katër dokumenteve, të cilat përbëjnë një bazë të fuqishme për forcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve dy dhe shumëpalëshe midis dy vendeve tona”- nënvizoi Haxhinasto, informon zyra e shtypit pranë Ministrisë shqiptare të Jashtme.
Haxhinasto ftoi biznesin brazilian të investojë dhe shtoi se bashkëpunimi ekonomik duhet të shtrihet në fusha të tilla si turizëm, energji, infrastrukturë dhe burime natyrore.
Ndërkohë, Antonio tha se ky është një moment historik dhe se marrëdhëniet midis dy vendeve po zhvillohen me shpejtësi, çka e provon më së miri hapja e ambasadave respektive.
“Dy vendet tona duhet të kapin kohën e humbur ne marrëdhëniet dypalëshe dhe bashkëpunimi ekonomik është nje drejtim mjaft i rëndësishëm që duhet të zhvillohet me shpejtësi”, tha zoti Antonio.
Në vazhdim, ministri Haxhinasto, duke iu referuar Kosovës, tha se pavarësia e saj ka forcuar stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin në gjithë rajonin e Ballkanit.
“Kosova duhet të jetë një çështje që të afrojë më tepër vendet e rajonit dhe jo një çështje ndarjeje”, tha ministri Haxhinasto. Ndërsa zoti Antonio tha se e vlerëson së tepërmi integrimin dhe bashkëpunimin midis vendeve të rajonit tonë dhe përshëndeti faktin që të gjitha këto vende po lëvizin në të njëjtin drejtim, gjë e cila do të sjellë ndryshim të rëndësishëm në rajon e më gjerë.
Haxhinasto vazhdon vizitën në Brazil me Forumin e biznesit shqiptaro-brazilian, i cili do të mbahet në Sao Paolo.
Friday, 28 October 2011 20:35