Prishtinë – Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, i ka porositur barrikaduesit në veri të Kosovës që të mos investojnë kot paratë e tyre në bllokimin e rrugëve, sepse nuk do të kenë kurrfarë dëmshpërblimi material, nëse KFOR-i intervenon në heqjen e tyre.
Këto komente Drews i ka bërë të premten në Shtërpcë, pas takimit me dyer të mbyllura që ka pasur me udhëheqësit e Shtërpcës.
Ai thuhet se ua ka përkujtuar barrikaduesve në veri se sipas Rezolutës 1244, KFOR-i nuk i paguan kurrfarë dëmshpërblimi askujt që i bllokon rrugët.
“Askush nuk e ka për qëllim që t’ia dëmtojë pronat personale e private dikujt dhe t’i shkaktojë dëme, por lëvizja e lirë është parakusht mbi të gjitha”, ka thënë Erhard Drews.
Ai ka theksuar se derisa kërkesa për zhbllokimin total të rrugëve nuk realizohet, KFOR-i do të refuzojë oferta selektive.
Drews ka përsëritur se kërkesa për lirimin e rrugëve nuk ka kushtëzime.
Friday, 28 October 2011 20:00