Prishtinë – Gjysëmheqja selektive e barrikadave serbe në veri të Kosovës “është një lojë, nuk është hapje e rrugëve, është një lloj kompromisi i krisur”, deklaroi pak më parë zv/kryeministri Hajredin Kuçi
, pas një mbledhje të qeverisë
“Nuk është qëllimi i qeverisë së Kosovës aty, nuk është qëllimi as i KFOR-it, as i EULEX-it”, tha ai, duke shtuar se hapja e rrugëve duhet të jetë për të gjithë qytetarët, për të gjitha institucionet dhe pa asnjë dallim.
“Askush nuk pranon në këtë kohë, që të ketë veprime të tilla kur njerëzit ilegalë hapin gjysëmrrugë. Ajo është vetëm një tendencë e tyre për t’u dukur që po bëjnë kompromise”, theksoi ai.
“Në realitet ata nuk mund të bëjnë kompromis me qarkullimin e lirë të individëve, mallrave, shërbimeve dhe të tjerave”, shtoi numri dy i qeverisë së Kosovës.
“Më vjen keq të them që i kemi parë këto skena në vitet ’90-të në vendet e tjera. Dhe, po ashtu me vjen keq ta them që të gjithë ata që kanë bërë këto skena në ato vite janë ndarë keq historikisht. Ne nuk dëshirojmë ta shohim një veprim të tillë”, theksoi zv/kryeministri Kuçi, duke siguruar serrugët do të hapen.
Friday, 28 October 2011 15:06