Prishtinë – Serbia nuk do të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian derisa nuk i zgjidhë raportet me Prishtinën, e kjo do të thotë derisa nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, ka thënë Marko Prelec, drejtor për Ballkanin në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.
“Thjesht as që do të mendojnë për importimin të edhe një konflikti brenda BE-së”, ka thënë Prelec në një intervistë për gazetën “Danas”.
Ai ka porositur Beogradin që t’i kthehet dialogut me Prishtinën dhe “të ecën drejt zgjidhjes së përhershme”.
Po ashtu, Prelec ka thënë se serbëve të veriut të Kosovës, Serbia nuk mund t’u ofrojë përherë “as mbrojtje të armatosur, as admninistratë, dhe si njëra si tjetra përjashtohen me Rezolutën 1244”.
“Serbia e ka humbur kontrollin e veriut të Kosovës, të dominuar nga serbët”, shkruan britanikja The Ekonomist në numrin e saj më të ri.
Sipas kësaj gazette, bllokimi i rrugëve nga serbët në veri përkujton situatën e viteve ’90, kur serbët bllokonin Krainën në Kroaci.
Ndërkaq, Austria propozon bisedime të reja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Mihajl Shpindeleger ka thënë në Beograd se Austria është e gatshme që për zgjidhjen e problemit të Kosovës të mbështesë dhe të organizojë forumin e ri për negociata të Beogradit dhe Prishtinës.
Nga ana tjetër, ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cameron Cliff, ka thënë se pavarësisht se si quhen bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, në to nuk do të diskutohet për statusin e Kosovës, integritetin territorial e as për ndarjen e saj. (LajmeShqip.com)
Friday, 28 October 2011 12:14