Beograd – Ministri i Jashtëm austriak, Michael Shpindeleger, ka kërkuar nga serbët dhe Beogradi zyrtar që barrikadat e vendosura në veri të Kosovës të hiqen sa më parë. Kjo duhet të ndodhë jo vetëm për shkak se pa u bërë kjo Serbia nuk mund ta marrë statusin e kandidatit, por edhe për shkak se barriakdat janë pengesë e zhvillimit paqesor dhe perspektivës për banorët serbë në
veri të Kosovës.
Duke komentuar, në një intervistë për gazetën serbe Blic, insistimin e serbëve që së pari të të diskutohet çështja e dy pikave kufitare, Shpindeleger ka thënë se kjo nuk mund të bëhet në dialogun e filluar midis Kosovës dhe Serbisë, që po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, sepse ky dialog nuk ka mandat për të zgjidhur probleme të tilla.
Kjo mund të bëhet në ndonjë forum tjetër, nëse ekziston vullneti i të dyja palëve. Ai ka theksuar se duhet bërë përpjekje që zgjidhja e problemeve në veri të vendit të gjendet në kuadër të zbatimit të planit të Ahtisarit. Ai ka nënvizuar se tani edhe në Begrad ka shumë zëra nga politika, që kërkojnë pikërisht zbatimin e pranimin e Planit të Ahtisarit nga serbët.
Shindeleger ka theksuar se Bashkimi Evropian pret që Serbia të vazhdojë dialogun me Kosovën dhe pret që ai të jetë bindës, ndërsa kërkoi, gjithashtu, impelmentim të shpejtë të marrëveshjeve të arritura në këtë dialog.
BE nuk dëshiron të integrojë në radhët e veta shtete që kanë probleme të pazgjidhura territoriale me fqinjët. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 October 2011 16:30