Tiranë – Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, ka shpallur garën për të dhënë një licencë të re në shërbimet e telekomunikacionit. Licenca autorizon përdorimin e brezit 1800-1805 MHz (me
gaherc), që sipas ekspertëve të AKEP është i përshtatshëm për ofrimin e shërbimeve të transmetimit të të dhënave. Kjo nënkupton internetin, telefonatat nëpërmjet internetit apo “Voice Over IP”, si edhe shërbimet e tjera multimediale.
Afati për paraqitjen e ofertave do të jetë data 5 Dhjetor dhe çmimi dysheme i përcaktuar nga AKEP është 300 mijë euro. Ashtu si për licencat 3G, vlera e ofertës do të jetë vendimtare në përcaktimin e fituesit, me 90 pikë nga 100 të mundshme, ndërsa koha e mbulimit me rrjet do të ketë 10 pikët e mbetura.
Inxhinierët e AKEP-it shpjegojnë jashtë kamerave se brezi në fjalë lejon transmetim të dhënash deri në tre herë më të lartë se brezi GSM që përdorin aktualisht operatorët celularë. Ndonëse nuk ka kapacitetet e brezit 3G, brezi që po tenderohet ka avantazhin që do të jetë tërësisht i dedikuar për internetin dhe transmetimin e të dhënave.
Licenca e dhënë nëprmjet kësaj gare do të jetë kombëtare dhe ofruesi do të ketë të drejtë të shtrijë rrjetin në të gjithë territorin e vendit. Pas licencimit të dy operatorëve 3G, dhënia e kësaj licence si rrjedhojë pritet të rrisë konkurrencën në tregun e internetit pa linja fikse apo Wireless.
Duke qënë se çmimi i kërkuar për licencën është shumë më i ulët se për teknologjinë 3G, kostot për investitorin pritet të jenë më të ulëta, çka krijon hapësira për internet me çmim më të lirë krahasuar me atë që ofrojnë operatorët celularë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 27 October 2011 15:36