Lajme Shqip Thursday, 27 October 2011 13:58

Tiranë – Ratifikimi i marrëveshjes dypalëshe ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Serbisë “për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve” është debatuar sot në seancën plenare të Kuvendit, ku deputetët e të dy palëve shfaqën qëndrime të kundërta.

Deputeti i PS-së, Pandeli Majko, u shpreh kritik ndaj marrëveshjes, e cila, sipas tij, është e standardit të lidhur më parë me vendet fqinje, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

“Nuk kemi të bëjmë me marrëveshje për ‘një lëvizje të lirë’, por për performancën e një lëvizje të kufizuar. Marrëveshja ka dy qëllime: së pari qeveria shqiptare ka shprehur një koshiencë aspak të drejtë, duke i ofruar Serbisë paritetin që i ka ofruar Malit të Zi dhe Maqedonisë dhe, së dyti, qeveria shqiptare është e detyruar para Parlamentit Shqiptar, nëse ka minoritet serb në Shqipëri, dhe kjo nuk ka të bëjë me lëvizjen e lirë”, tha deputeti Majko.

Në përgjigje të këtij qëndrimi, deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, duke e quajtur marrëveshjen të dobishme dhe në shërbim të qytetarëve, tha se qëndrimi i opozitës është kundër lëvizjes së lirë dhe thellësisht në kundërshtim me interesat e vendit.

“Marrëveshja me Serbinë është shumë e rëndësishme dhe bazohet në rekomandimet dhe standardet e Bashkimit Europian. Ajo është një marrëveshje mes vendeve që dëshirojnë të jetojnë në paqe dhe që duan që qytetarët e tyre të lëvizin të lirë me të drejtat europiane dhe që duan të ndërtojnë aspirata të reja”, tha deputeti Shehu.

Sipas tij, kjo është meritë e qeverisë, e cila me një vizion krejtësisht europian ndërton të tilla marrëdhënie, që kontribuojnë në integrimin europian jo vetëm të Shqipërisë, por dhe të rajonit.

Marrëveshja me Serbinë “për lëvizjen e ndërsjellë të shtetasve” do të ndikojë pozitivisht në lehtësimin dhe rritjen e kontakteve ndërmjet qytetarëve të të dy vendeve, si dhe do të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat.

Më 5 korrik 2011, Shqipëria nënshkroi me Serbinë marrëveshjen e lëvizjes së ndërsjellë të shtetasve pa viza.

Sipas saj, afati i qëndrimit do të jetë 90 ditë brenda afatit kohor prej 180 ditësh. Gjithashtu, marrëveshja parashikon që kalimi në pikat kufitare do të bëhet pa taksa apo detyrime të tjera.