Lajme Shqip Thursday, 27 October 2011 12:30

Tiranë – “Zgjedhja e Presidentit të Republikës nga populli do të ishte një zgjidhje shumë e mirë për të siguruar pavarësinë, neutralitetin dhe përfaqësimin më të gjerë të këtij institucioni”, thotë konstitucionalistja Aurela Anastasi.


Edhe pse zgjedhja e Presidentit të Republikës, si një proces që pritet të realizohet gjatë vitit 2012, nuk është bërë ende pjesë e mirëfilltë e debatit politik të ditës, mundësia e ndryshimit të procedurave për zgjedhjen e tij, që kërkojnë domosdoshmërisht edhe ndërhyrje në Kushtetutë, e bëjnë këtë çështje më aktuale për klasën politike.

Në këtë drejtim, Anastasi, eksperte në fushën e të drejtës kushtetuese, përmend rastin e zgjedhjes së Presidentit nga populli, që sipas saj, bëhet i mundur vetëm nëse do të ndryshohet Kushtetuta.

Një President i zgjedhur nga populli, për Anastasin do të kishte më shumë autoritet për të ndërhyrë në zgjidhjen e krizave të ndryshme institucionale, si dhe për të ruajtur ekuilibrin midis pushteteve.

“Formula e zgjedhjes së Presidentit nga populli është bërë tashmë një model që ndeshet rëndom në të gjitha vendet e Evropës Qendrore e Lindore, të cilat përgjithësisht kanë hartuar kushtetuta të reja pas rënies së regjimeve komuniste”, shton ajo.

Në mjaft prej këtyre vendeve, për Anastasin, “duken qartë gjurmët e një sistemi gjysmë presidencial, me president të zgjedhur nga populli”. “Megjithatë janë ofruar edhe modele të formave të qeverisjes parlamentare, të cilat gjithashtu kanë një president të zgjedhur nga populli, si p.sh., Maqedonia.

Pra, do të thoja se, teorikisht, zgjedhja e Presidentit nga populli është një opsion i përhapur tashmë, aq sa ka bërë që të duket shumë e vjetëruar formula e zgjedhjes së Presidentit nga Parlamenti. Për hir të së vërtetës, kjo e fundit ka mbetur më tepër një model i parashikuar nga kushtetutat e demokracive të vjetra perëndimore”, shton ajo.

Në këtë kuadër, Anastasi shprehet se “ndryshimi i Kushtetutës, qoftë për këtë çështje, ashtu edhe për çështje të tjera, nuk mund të kryhet menjëherë, nga sot për nesër”. “Edhe këtu ka mjaft çështje që mund të shtrohen për zgjidhje. Fjala vjen, propozimet e kandidatëve do të vijnë nga partitë politike dhe momenti i përzgjedhjes së figurës më përfaqësuese duhet të rregullohet kujdesshëm. Konkurrimi i kandidatëve të pavarur është një mundësi e mirë, por duhet të garantohet një proces i ndershëm dhe i drejtë votimi. Njëkohësisht, duhet të respektohet pjesëmarrja në diskutimin dhe miratimin e ndryshimeve kushtetuese”, thekson Anastasi.

Përsa i përket përzgjedhjes së Presidentit nga fusha politike apo shoqëria civile, Anastasi thekson se formula Kushtetuese aktuale për zgjedhjen e Presidentit, i krijon mundësi klasës politike të vendosë për zgjedhjen e tij, pasi ai propozohet nga deputetët dhe zgjidhet nga Kuvendi.