Tiranë- “Koleksioni i qelqtë” i Tennessee Williams, drama ku zberthehen emocionet njerezore, deshira dhe perpjekjet per te jetuar, do të shfaqet në Teatrin Kombëtar.

Nën regjinë e Lorin Terezit dhe nën interpretimin e aktorëve Niko Kanxheri, Ervin Bejleri, Sonila Kapidani, Erjeta Cufaj dhe Florian Agalliu, shfaqja do të ngjitet në skenën e vogël të TK-së në datat 3 dhe 4 nëntor. Kostumet dhe skenografia e shfaqjes janë realizuar nga Olta Bello.
“Koleksioni i qelqtë” është një dramë kujtesë. Ajo rrëfehet nga Tom Wingfilld, i cili është njëkohësisht edhe personazh i pjesës. Ngjarja zhvillohet në Amerikë, në St.Louis në vitin 1937 pikërisht në periudhën më të vështirë të Amerikës, i quajtur “Depresioni i Madh”.
Tom është një poet që punon në një fabrikë këpucësh për të mbajtur nënën e tij, Amanda, dhe motrën e tij, Lora.
Ai përcmon jetën që bën dhe punën tek fabrika e këpucëve. Duke qënë një poet i ri dhe plot ëndrra, ai gjen shpëtim te alkooli, filmat dhe letërsia, Këto gjëra janë të patolerueshme për mamane dhe sjellin mjaft debate dhe sherre te ashpra mes tyre. Regjisori e ka konceptuar personazhin e Tom Wingfilld-it në 2 aktorë (Tom i ri dhe Tom i vjeter), një mënyrë për ta kuptuar më mirë dramën e tij.
Secili nga personazhet në brendësinë e tij ka shpresën për të përmirësuar jetën.
Në dramën e Williams zbërthehen emocionet njerëzore, dëshira dhe përpjekjet për të jetuar, komplekset dhe inferoriteti i gjithësecilit që shpalosen gjatë ndërveprimit të tyre.
Për herë të parë “Koleksioni i qelqtë” i Williams është shfaqur në vitin 1944 në Çikago.
Wednesday, 26 October 2011 18:47