Prishtinë – Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, po qëndron në Kroaci. Gjatë ditës ka takuar presidentin e Kroacisë Ivo Josipoviq, i cili ka dhënë përkrahjen e vendit të tij për agjendën evropiane të Kosovës.
Presidenti korat ka theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit mes Kroacisë dhe Kosovës në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e politikës e ekonomisë. Ai ka thënë se “Kroacia mund ta ndihmojë Republikën e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane, duke u nisur edhe nga përvojat që shteti i tij ka kaluar në këtë rrugë”.
Ndërkaq, presidentja Jahjaga ka vlerësuar marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me Republikën e Kroacisë duke theksuar nevojën e thellimit të mëtejmë të bashkëpunimit mes dy shteteve.
Jahjaga ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do të jetë i kompletuar pa përfshirjen e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor. Presidentja Jahjaga po qendron në Zagreb, në kuadër të konferencës ndërkombëtare për rolin e gruas në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Evropës Juglindore.
Gjatë fjalimit të saj në këtë konferencë Jahjaga ka vecuar rëndësinnë e përfshirjes së gruas në të gjitha proceset.
Ajo ka thënë me këtë rast se “gratë në Kosovë sot janë në poste kyçe dhe gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë me ndikim në procesin e vendim-marrjes. Investimin në femra është investim në familje, në komunitet dhe në shoqëri.
Por para së gjithash është investim i garantuar në të ardhmen tonë”, ka thënë ndër të tjera presidentja Jahjaga. Konferenca ndërkombëtare “Femrat që udhëheqin zhvillimin ekonomik në Evropën Juglindore” është organizuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 October 2011 21:12