Lajme Shqip Wednesday, 26 October 2011 15:37

Shkup – Pjesëtarët e njësitit special mobil “Alfa”, pardje, në Shkup, në bazë të urdhër-arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore Kumanovë, e privuan nga liria Sabit A. (31) nga Shkupi.

Siç komunikoi MPB-ja, ai kërkohej sepse më 12 qershor të vitit 2003, rreth orës 17:30 së bashku me personat Abdyl J. i thirrur Çakalla (37), Halim A. (31), që të dy nga Shkupi dhe Salim Z. (51) nga Likova, në rrugën rajonale fshati Haraçinë-Kumanovë, më saktë në vendin e quajtur Buçik (atari i fshatit Nikushtak), kanë zënë peng katër persona, banorë të Kumanovës, të cilët janë transportuar me automjet në këtë drejtim.

Pasi që i kanë nxjerrë me dhunë nga automjeti i tyre, i kanë dërguar në Likovë, ku i kanë mbajtur rreth 24 orë, pas çka i kanë liruar.

I arrestuari Sabit A. ishte i fundit nga grupi, i cili kërkohej intensivisht, derisa tre të tjerët janë privuar më parë nga liria dhe iu janë dorëzuar instancave juridike.