Lajme Shqip Wednesday, 26 October 2011 15:12

Tiranë – Kreditimi është i ngadaltë më së shumti sepse individët dhe bizneset kanë ulur kërkesën për kredi. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u shpreh sot se aktorët e sektorit privat po tregojnë një kujdes të tepërt dhe një hezitim të pajustifikuar nga ecuria e treguesve realë të ekonomisë.

Sipas tij, që ekonomia të shfrytëzojë të gjitha potencialet e saj rritëse, duhet gjallëruar kërkesa e brendshme përmes një qasjeje më optimiste ndaj shpenzimeve.

Megjithë rritjen e vazhdueshme të kredive me probleme dhe shqetësimeve të shprehura së fundmi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, zoti Fullani u shpreh se sistemi bankar në vend është i kapitalizuar mjaftueshëm dhe i ka të gjitha mundësitë për të mbështetur më shumë rritjen e ekonomisë shqiptare.

I pyetur rreth propozimit të opozitës për uljen e TVSH dhe ndikimeve të këtyre propozimeve në ecurinë e çmimeve të konsumit, Guvernatori la të kuptohej se është kundër një nisme të tillë. Sipas tij, prioritet duhet të jetë mbajtja nën kontroll e deficitit buxhetor dhe borxhit publik.

Në mbledhjen e ditës së sotme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në 5%. (LajmeShqip.com)