Tiranë – Liberalizimi i tarifave të sigurimit të detyrueshëm motorik po sjell çmime më të ulëta dhe një volum më të paktë të ardhurash për kompanitë e sigurimeve. Sipas të dhënave zyrtare nga Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare, për 9-mujorin e këtij viti, të ardhurat nga primet kish
in vlerën e 6.5 miliardë lekëve, me një rritje prej 4.7% krahasuar me vitin e kaluar.
Në tre muajt e fundit, ritmi i rritjes së tregut ka ardhur në rënie dhe kjo i detyrohet kryesisht uljes së tarifave për sigurimin TPL. Të ardhurat nga ky sigurim për 9-mujorin pësuan një rënie me 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Të ardhurat nga ky sigurim zënë 30% të tregut, nga 40% që zinin një vit më parë.
Liberalizimi i tarifave të TPL-ve duket se po nxit një ekuilibrim të tregut mes sigurimeve të detyrueshme dhe atyre vullnetare. Sigurimet e detyrueshme motorrike në total kanë rënë në 51% të tregut, ndërkohë që një vit më parë përbënin 57% të tij. Gjithashtu, produktet e sigurimit të jetës po fitojnë më shumë terren në treg dhe sot zënë mbi 12% të totalit, nga 9% që zinin viti e kaluar.
Kontratat vazhdojnë të rriten me ritëm të lartë dhe për 9-mujorin ato ishin 92% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2010. Rritja vjen nga shtimi i kontratave të sigurimit të shëndetit në udhëtim, por ndikimi në volumin e tregut vazhdon të jetë i dobët, sepse këto produkte kanë çmime të ulëta.
Dëmet e paguara nga shoqëritë e sigurimeve për 9-mujorin kishin vlerën e 1.6 miliardë lekëve, me një rritje prej 3% në raport me një vit më parë. Dëmet vijnë në pjesën dërrmuese nga sigurimet motorrike. Ndonëse përbën vetëm 51% të primeve, kjo kategori shkakton 81% të dëmeve. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 October 2011 13:04