Tiranë – Vitet e fundit, kredia konsumatore është bërë një nga mjetet kryesore të financimit të blerjeve familjare dhe të rritjes së konfortit dhe mirëqenies së përditshme. Nëse mund të provoni se keni të ardhura të mjaftueshme, kredia konsumatore është një mjet i dobishëm për të blerë pajisje elektrike, elektronike apo mobilje.
Në një moment kur kredia me probleme ka arritur kulmin, kryesisht për shkak të problemeve të biznesit, edhe nga vetë bankat kredia konsumatore për individë po promovohet ndjeshëm, si një mënyrë e mirë për të diversifikuar portofolin dhe për të shpërndarë riskun.
Ekonomia po vuan nga rënia e konsumit, ndaj veçanërisht në këtë moment kredia është një instrument i rëndësishëm gjallërues. Për të përfituar kredi konsumatore, është pothuajse e domosdoshme të keni të ardhura të kanalizuara në bankë dhe dorëzaninë e një personi të dytë, edhe ai me të ardhura të deklaruara. Financimet deri në shumën 500 mijë lekë mund të merren pa lënë garanci.
Të gjitha bankat aplikojnë një komision fillestar administrimi nga 1% deri në 2% të shumës së kredisë. Normat e interesit lëvizin në një interval nga 16% deri në 21%. Në tabelën në ekran po ju ilustrojmë me një shembull sa do të paguani në secilën prej bankave kryesore të sistemit nëse merrni kredi konsumatore. Por kini parasysh se kredia konsumatore është ndër produktet më tipike për të cilin bankat ofrojnë kushte preferenciale nëse jeni pagamarrës.
Nëse merrni pagën në bankën ku kërkoni kredi, përfitoni një normë interesi 2% më të ulët. Qoftë për hir të çmimit, qoftë për hir të procedurave më të thjeshta, është e këshillueshme që për kredi konsumatore të aplikoni së pari në bankën ku ju derdhet paga ose të ardhurat e tjera. Kjo lloj kredie është e këshillueshme të merret në lekë, madje bankat vetë zakonisht nuk e ofrojnë në një monedhë tjetër, me përjashtim të rasteve kur mund të keni të ardhura në atë monedhë. Megjithatë, ka edhe kundrashembuj.
Për shembull, “Banka Emporiki” e ofron kredinë konsumatore vetëm në euro. Kjo, me sa duket, ka të bëjë me raportet valutore në likuiditetin e bankës, por dhënia e kredisë konsumatore në valutë të huaj është një praktikë aspak e këshillueshme nga ekspertët dhe nga Banka Qendrore.
Përgjithësisht, blerjet konsumatore bëhen në lekë, të ardhurat e blerësve janë në lekë, ndërkohë që duke dhënë kredi në valutë të huaj banka e ekspozon në mënyrë të panevojshme klientin ndaj rrezikut të kursit të këmbimit. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 26 October 2011 11:23