Shkodër – Përmes aktiviteteve kulturore-artistike, të organizuara nga Konsullata e Austrisë në Shkodër, për të 8-tin vit radhazi u festua mbrëmjen e së martës Festa Kombëtare e Austrisë, e nisur me një koncert në teatrin “Migjeni”, një takim në bibliotekën austriake të Uni
versitetit “Luigj Gurakuqi”, ndërsa në mbyllje në mjediset e hotel Turizmit “Rozafa” të Shkodrës, u dha një pritje zyrtare me pjesëmarrjen e Ambasadorit të Austrisë në Tiranë, Florian Rauning.
Konsulli i Nderit i Austrisë në Shkodër, Gjergj Liqejza, pasi vlerësoi bashkëpunimin e hershëm të Shkodrës me Austrinë, përmendi disa prej projekteve për furnizimin me ujë të pijshëm në qytetin verior, projektet në përpunimin e ujrave të zeza, ato për rehabilitimin e kaskadës së Drinit, ku pjesëmarrja e Qeverisë Austriake ka qënë e rëndësishme përsa i përket financimit.
Një përshëndetje të shkurtër në gjuhën shqipe bëri për pjesëmarrësit edhe Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Florian Rauning, i cili vlerësoi lidhjet shpirtërore, historike, kulturore në mes Shkodrës dhe veriut shqiptar me Austrinë, të cilat nga viti në vit po marrin dimensione të tjera, duke u zhvilluar edhe më tej.
Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe ekspozita e pikturës, e përgatitur nga katër nga piktorët më të mirë shkodranë, e cila u vizitua me interes nga pjesëmarrësit.
Wednesday, 26 October 2011 07:41