Lajme Shqip Tuesday, 25 October 2011 20:31

Tiranë – Shqipëria do të krijojë kushte më të përshtatëshme për investitorët dhe biznesin, tha sot Kryeministri Sali Berisha, në pritjen që dha në Pallatin e Brigadave për Bordin e Drejtorëve të Fondit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, i cili operon prej rreth 15 vitesh në Shqipëri.

Duke e cilësuar Fondacionin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit si një “mik të çmuar, të shquar të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, Kryeministri falënderoi përfaqësuesit e Bordit të Drejtorëve të Fondit për kontributin që kanë dhënë në vend, përmes përkrahjes dhe mbështetjes së sektorit privat me një sërë projektesh.

“Në një udhëtim 15 vjeçar fondacioni realizoi në Shqipëri një nga historitë më të shkëlqyera të suksesit të fondacioneve që u krijuan nga mesi i viteve ’90 nga Presidenti i SHBA-ve, Clinton, në vendet që sapo dolën nga regjimet komuniste”, u shpreh Kryeministri, duke vënë në dukje ndryshimet pozitive që kanë ndodhur në Shqipëri që nga koha kur nisi funksionimi i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

Berisha u tha përfaqësueve të Bordit të Drejtorëve të Fondit se ata kanë dhënë një kontribut parësor në ndryshimet pozitive të Shqipërisë. “Ju e nisët punën me një fond modest, por më e madhe ishte dashuria dhe përkushtimi juaj për këtë vend. Ju guxuat dhe hapët në Shqipëri bankën e parë private, shtritë bashkëpunimin tuaj me sektorin privat dhe qeverinë në të gjitha fushat, me qindra projekte ju frymëzuat biznesin, sektorin privat shqiptar më shëmbullin tuaj”.

Sipas Berishës, projektet e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit në të gjitha fushat janë një histori e vërtetë suksesi. Fondi i Zhvillimit Shqiptaro- Amerikan mbështet politikat e edukimit për zhvillim, arsimin, kulturën, turizmin, sipërmarrjet, etj.

“Por ekziston dhe një kontribut i juaj i paçmuar, që nuk shprehet me banka dhe koncesione, ato janë këshillat tuaja të çmuara për qeveritë shqiptare, në përpjekjet e tyre për të ndërtuar tregun e lirë”, u shpreh Berisha, duke theksuar se bashkëpunimi me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan është një inkurajim dhe frymëzim për Shqipërinë dhe zhvillimin e saj të vazhdueshëm.

Duke vënë në dukje kohërat e vështira të ekonomisë botërore, Berisha pohoi se “në këto kushte për Shqipërinë ka vetë një alternativë: të bëjë gjithçka për të inkurajuar biznesin në këtë vend. Bashkë do punojmë për reforma dhe projekte që do të bëjnë të mundura suksesin për zhvillimin e biznesit”.

Kryeministri u ndal në kontributet më humane të Fondacionit. “Domenic Scalione vite më parë krijoi fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë, i cili mban emrin e tij të nderuar, që ndihmon fëmijët në nevojë. Ky është një aspekt i pamjes sociale të veprimtarive tuaja në Shqipëri, të tjerat janë të shumta dhe shqiparët ju janë mirënjohës”, u shpreh Berisha.

Kryeministri e cilësoi të suksesshëm aktivitetin e Fondit në këto vitet dhe u shpreh se bashkëpunimi dhe përkushtimi i këtij Fondi në projekte të tjera do të jetë edhe më i madh në të ardhmen.

Një muaj më parë, Kryeministri Berisha ftoi investitorët amerikanë të shtrijnë investimet e tyre edhe në Shqipëri. Në vizitën që zhvilloi në shtator në Neë York, Berisha mori pjesë në Forumin e Investimeve SHBA-Shqipëri, me pjesëmarrjen e rreth 100 kompanive dhe sipërmarrjeve amerikane.