Lajme Shqip Tuesday, 25 October 2011 18:58

Durrës- Oficeri i Shërbimit informativ të Durrësit, Isa Copa, i cili në orët e para të ditës së martë u gjet i djegur në automjetin e tij, dyshohet se për motive ende të panjohura, mund t’i ketë dhënë fund jetës duke u vetëvrarë.

Grupi hetimor në Policinë e Durrësit ka bërë me dije  se nga  të dhënat e para në vendngjarje ,49-vjçari  Isa Çopa është vetvrarë me armën e punës, ndërsa  pak më parë i kishte vënë flakën autoveturës së tij.

Familjarët e tij kërkuan mbrëmë ndihmën e policisë, pasi 49-vjeçari Çopa  nuk ishte kthyer në banesë, ndërkohë që më parë, përmes një mesazhi telefonik, ai  i kishte dërguar djalit të tij mesazhin e lamtumirës.

Trupi i pajetë i Isa Çopës u gjet në orën 1.00 pas mesnate, në rrugën pranë ish-repartit ushtarak të Curilave, ndërsa brenda autoveturës së djegur ndodhej pistoleta e tij e punës.

Sipas burimeve zyrtare nga Policia e qytetit bregdetar mësohet se në tavanin e autoveturës tip “Opel Corsa”, është gjetur një vrimë dalëse, e shkaktuar nga qitja me armë.

Çopa, i cili  prej 11 vjetësh punonte  pranë degës së Shërbimit Informativ Shtetëror në Durrës, mbrëmjen e kaluar ka marrë në shtëpinë e së motrës një bidon plastik 5-litërsh, që mendohet se i ka shërbyer 49 vjeçarit për transportin e lëndës djegëse me të cilën është djegur automjeti.

“Nga të gjitha materialet e grumbulluara për hetimin e ngjarjes së rëndë, hetimet e deritanishme të çojnë në përfundimin se kemi të bëjmë me një vetëvrasje-thanë burimet.

Ndërkohë që për sqarimin e rrethanave dhe motiveve të vdekjes së 49 vjeçarit Isa Çopa vazhdojnë hetimet deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.