Lajme Shqip Tuesday, 25 October 2011 18:00

Prishtinë – Interpelanca lidhur me situatën politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës do të mbahet më 27 tetor, vendosi sot Kryesia e Kuvendit.

Duke vlerësuar se kërkesa e Grupit parlamentar Vetëvendosje për interpelancën lidhur me situatën politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës, i plotëson kushtet për t’u radhitur në mbledhjen plenare të Kuvendit, Kryesia vendosi që interpelanca e kryeministrit Hashim Thaçi për këtë temë, të mbahet të enjten, më 27 tetor.

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka marrë në konsideratë njoftimin e kryeministrit Thaçi, lidhur me debatin  parlamentar për Raportin e Progresit 2011 për Kosovën, si dhe për interpelancën lidhur me situatën politike dhe të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës.

Duke pasur parasysh se kryeministri Thaçi ka sqaruar se nga 17 tetori deri më 3 nëntor disa ministra të kabinetit të tij, në kuadër të intensifikimit të perspektives evropiane, do të gjenden për vizita zyrtare në Gjermani, Francë dhe SHBA, Kryesia ka vendosur që seanca e paraparë për datën 27 tetor, lidhur me debatin  parlamentar për Raportin e Progresit 2011 për Kosovën, të shtyhet për datën 8 nëntor.